Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me operacionin e së shtunës ku ranë në pranga 3 efektivë policie. Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka deklaruar se efektivët, prej disa kohësh ishin të përfshirë në kultivimin dhe trafikun e kanabisit.
Sipas njoftimit të SPAK, punonjësit e policisë ishin të lidhur me trafikantët ku i mbulonin në kultivimin e drogës në zonën e Sarandës, duke dhënë këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me kultivimin e bimëve narkotikëve, si dhe duke u siguruar anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal siguri në këtë veprimtari të kundraligjshme.
Kanabisi më pas trafikohej në Greqi, dhe po ashtu aty kishin ndihmën e efektivëve për kalimin pa problem të kanabisit, i cili më pas kalonte për t’u shitur në territorin grek.
“Nga hetimi është arritur të dokumentohet rasti i trafikimit për në Greqi, më 07.03.2020, përmes pikës së kalimit kufitar, “Qafë Botë”, të një sasie prej 1144.9 kg cannabis sativa të papërpunuar, 4.068 kg cannabis të përpunuar (çokollatë) dhe 0.916 kg cannabis i përpunuar (vaj), me vlerë rreth 1.700.000 euro, sasi kjo që u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar në Greqi”, njofton SPAK.