Gjatë dekadave të fundit, PABSEK-u është konfirmuar si një platformë që jo vetëm që lidh parlamentet, por ndërton besim midis kombeve, stimulon bashkëpunimin ekonomik dhe nxit demokracinë. Sot, më shumë se kurrë, na nevojitet një qasje e tillë e bazuar në respektimin e së drejtës ndërkombëtare, dialogut dhe gjithëpërfshirjes, deklaroi kryterai i Kuvendit, Afrim Gashi në seancën e Komisionit për Çështje Juridike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar – PABSEK.
“Prania juaj këtu nuk është vetëm një akt diplomatik – ajo është një konfirmim i vullnetit tonë të përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin konstruktiv, për të thelluar lidhjet institucionale dhe për të ndërtuar një rajon të qëndrueshëm juridikisht dhe politikisht. Ky Komision është thelbi i këtyre përpjekjeve – një vend ku e drejta dhe politika nuk përplasen, por bashkëveprojnë në sinergji”, tha Gashi.
Ai theksoi se në një botë ku shpesh jemi dëshmitarë të minimit të sistemeve juridike, të rritjes së autoritarizmit dhe të vështirësive në multilateralizëm, detyra jonë si parlamentarë është të mbetemi zëdhënës të ligjshmërisë, të demokracisë dhe të transparencës.
Është thelbësore të kujtojmë se parlamentet nuk janë vetëm institucione që miratojnë ligje – ato janë mbrojtëse të vlerave që i tejkalojnë kufijtë kombëtarë.
“Komisioni për Çështje Juridike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar luan një rol thelbësor në formulimin e qëndrimeve dhe drejtimeve strategjike të përbashkëta brenda PABSEK-ut. Puna e tij ndikon në krijimin e kornizave ligjore që lehtësojnë zhvillimin rajonal dhe përforcojnë të drejtat e njeriut, qeverisjen e mirë dhe përgjegjshmërinë institucionale. Republika e Maqedonisë së Veriut synon në mënyrë aktive të thellojë pjesëmarrjen e saj në të gjitha trupat e PABSEK-ut. Ne jemi të bindur se vetëm nëpërmjet dialogut të hapur, prioriteteve të përbashkëta dhe ndërtimit të besimit mund të ndërtojmë një arkitekturë rajonale më të fortë dhe më të qëndrueshme. Gjithashtu, kjo mbledhje mbahet në një kohë të zhvillimeve të rëndësishme gjeopolitike që na prekin të gjithëve. Në këtë kontekst, janë pikërisht parlamentet ato që duhet të jenë lidhja midis qytetarëve dhe proceseve të vendimmarrjes. Ne, si përfaqësues të popullit, jemi të thirrur jo vetëm të reagojmë, por edhe të parashikojmë – të ndërtojmë të ardhmen me përgjegjësi dhe vizion”, tha Gashi.
Kryeparlamentari shtoi se diskutimet dhe konkluzionet e kësaj mbledhje do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit juridik në rajon dhe do të hapin perspektiva të reja për angazhimin parlamentar. Kjo është gjithashtu një mundësi për të shkëmbyer përvoja, për të promovuar praktikat e mira dhe për të krijuar partneritete që do t’u sjellin dobi të gjithë qytetarëve në rajonin më të gjerë të Detit të Zi.