Ndërprerja e energjisë elektrike, MEPSO: Bëhet fjalë për problem rajonal, furnizimi tashmë është normalizuar

Shpërndaje

Gjatë mbrëmjes, respektivisht në orët e para të mëngjesit të sotëm, një pjesë e madhe e Maqedonisë së Veriut kishte ndërprerje të furnizimit me energji elektrike. Sipas SHA MEPSO, ndodhi një defekt dhe ndërprerje e shkurtër në rrjetin transmetues 110 kV.

Sipas kumtesës së MEPSO-s, arsyeja e ndërprerjes ishin tensionet e larta në rrjetin 400 kV që u shfaqën në të gjithë rajonin. Këto tensione ndërlikuan funksionimin e sistemit energjetik në vend dhe shkaktuan një ndërprerje të përkohshme të transformatorëve energjetikë 400/110 kV në disa stacione transformuese.

“Bëhet fjalë për një problem rajonal dhe evropian që ka prekur pothuajse të gjithë operatorët e sistemeve transmetuese për shkak të konsumit të ulët dhe mungesës së qarkullimit të energjisë elektrike gjatë orëve të natës dhe fundjavave, karakteristike për këtë periudhë të vitit”, thonë nga MEPSO.

Nga MEPSO-s thonë se kanë reaguar me kohë dhe se furnizimi me energji elektrike është rikthyer brenda një ore pas ndërprerjes.

“Ekipet e MEPSO-s kanë reaguar me shpejtësi dhe brenda një ore pas ndërprerjes, furnizimi me energji elektrike në shtet është normalizuar”, thonë nga MEPSO.

Shtojnë se punët për stabilizimin e plotë të sistemit po vazhdojnë, ndërsa paralelisht realizohen investime të reja në bashkëpunim me operatorët fqinjë me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë së rrjetit.

“MEPSO njofton po ndjek me vigjilencë situatën dhe vazhdon koordinimin e ngushtë me sistemet transmetuese të rajonit për të garantuar siguri dhe stabilitet të furnizimit me energji për qytetarët”, thonë nga MEPSO.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme