Zëvendëskryeminsitri i parë Izet Mexhiti në një dalje për media bëri të ditur se tashmë janë mbyllur 226 kazino online që kanë vepruar në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Mexhiti bëri të ditur se me këtë hap është ulur numri i kazinove online për 40%, ndërkaq bëri të ditur se së shpejti do të mbyllen edhe kazinot tjera online. Mes tjerash zëvendëskryeministri Mexhiti apeloi deri te të gjithë qytetarët që të paraqesin kazinot online qe me këtë edhe qeveria të marrë masat e duhura.
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë,
Sot jemi këtu për të ndarë me ju një rezultat konkret në luftën tonë të pandalshme kundër industrisë kriminale të bixhozit dhe lojërave të fatit.
Në përmbushje të njërit prej zotimeve më të qarta që dhamë para qytetarëve, Qeveria ka marrë vendim për bllokimin e 173 faqeve të kumarit e bixhozit online, të cilat në mënyrë të paligjshme kanë ofruar shërbime të lojërave të fatit në vendin tonë. Së bashku me 53 faqet që u bllokuan muajin e kaluar, ky numër tashmë shkon në 226! Paramendoni: për më pak se dy muaj mbyllëm 226 faqe të kumarit ilegal online, dhe ky numër nuk është përfundimtar! Vetëm imagjinoni për një çast sa thellë e sa larg ka depërtuar mafia e bixhozit në jetët tona dhe çfarë dëmi ka shkaktuar tek individët dhe familjet e prekura nga kjo epidemi!
Brenda vetëm një viti, kemi arritur ta ulim për 40% veprimtarinë e lojërave të fatit në vend. Ky është një hap i madh dhe një dëshmi e qartë e vendosmërisë së VLEN-it për të mos bërë kompromis me askënd që cënon shoqërinë tonë.
VLEN nuk është pjesë e sistemit të vjetër. VLEN nuk flet me fjalë boshe. VLEN vepron. Kjo është një betejë për të ardhmen, për fëmijët tanë, për rininë tonë, për familjet tona.
Ne, si Qeveri, nuk jemi aleatë të bixhozit, por mbrojtës të familjeve shqiptare. Nuk jemi në shërbim të rrjeteve kriminale, por në mbrojtje të shoqërisë dhe moralit tonë kombëtar. Po ia këpusim rrjetën mafias së kazinove, në të cilën duan t’i zënë rob fëmijët tanë. Ata që ndërtuan pasuri në kurriz të dhimbjes së njerëzve tanë, sot po i nxjerrim para drejtësisë.
Faleminderit.