Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të qëndrojë në Kosovë më 15 tetor ku do të takohet me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Zyrtarja e lartë evropiane fillimisht do të qëndrojë në Presidencë për takim me Osmanin në orën 13:00. Nuk është paralajmëruar ndonjë adresim për media pas takimit mes Osmanit dhe von der Leyen. Më pas, në orën 14:05, Kurti do ta presë për takim shefen e Komisionit Evropian në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Më 8 gusht të këtij viti, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, e kishte informuar Qeverinë në detyrë të Kosovës se zyrtarë të bllokut evropianë nuk do të zhvillonin takime në ndërtesën qeveritare derisa vendi të ketë një ekzekutiv me mandat të plotë.
Sipas letrës së dërguar, vendimi mor pas “aktgjykimit të Gjykatës Supreme të 25 qershorit” që shpalli të pavlefshëm një udhëzim administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pasi argumentoi se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese. Pas publikimit të lajmit për këtë letër, zëdhënësi i Kurtit i tha Radios Evropa e Lirë se Kryeministria është vendi i punës i Kurtit, por takime mund të mbahen edhe jashtë ndërtesës së Qeverisë.
Kosova është me ekzekutiv në detyrë pasi që nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Kurti është mandatuar nga Osmani për të formuar qeverinë e re dhe ai ka afat deri më 26 tetor që të paraqesë para Kuvendin përbërjen e re qeveritare. Për zgjedhjen e Qeverisë duhen 61 vota dhe Kurti ka thënë se do të zhvillojë diskutime gjatë ditëve në vijim për formimin e shumicës, pasi në bazë të rezultatit zgjedhor, ai nuk mund të qeverisë pa një partner koalicioni. Vizita e von der Leyen në Kosovë është në kuadër të një turneu ballkanik. Ajo paraprakisht ka vizituar Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën. Ndërkaq, para se të niset për në Kosovë, ajo do të zhvillojë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd. Lajm.mk

