Deti Mesdhe shënon temperatura rekord

Shpërndaje

Mund t’u thuash peshqve dhe krijesave detare se “gjithmonë ka qenë nxehtë”. Po të kishin mundësi të përgjigjeshin, do t’ju thoshin se jo, në një thellësi prej 40 metrash, 25 gradë Celsius nuk janë temperatura normale.

Megjithatë, ky është realiteti i Mesdheut që, për sa i përket temperaturave, sot po afrohet në mënyrë shqetësuese me ujërat e Karaibeve.

Të dhënat e fundit nga shërbimi satelitor Copernicus kanë treguar se Deti Mesdhe, për shkak të krizës klimatike, ka arritur temperatura deri në 8 gradë mbi mesataret normale, me anomali të konsiderueshme prej rreth 5 gradësh në zona të Italisë, në Sardenjë dhe në Detin Tirren.

Edhe këtë verë, në Itali, bojat matëse të temperaturës së ujit pranë La Spezias kanë regjistruar tashmë 29 gradë Celsius në sipërfaqe. Dhe jemi ende në muajin korrik.

Problemi është edhe në thellësi

Sidomos shqetësuese është situata në thellësi të detit. Në një raport të dedikuar për Monica Montefalcone, kërkuesen dhe zhytësen që humbi jetën në tragjedinë e Maldiveve, analizohen valët e të nxehtit detar të regjistruara gjatë vitit 2025 në 14 stacione monitorimi, 13 prej të cilave ndodhen në zona të mbrojtura detare.

Pamja që del është alarmante.

“Detet italiane vazhdojnë të ngrohen, me valë të të nxehtit deri në 40 metra thellësi, duke shkaktuar fenomene nekroze ose zbardhjeje te gorgoniat dhe koralet”, thuhet në raport. Gjithashtu, ekzistojnë shqetësime për “zgjerimin e vazhdueshëm të specieve termofile dhe atyre aliene”.

Në Sardenjë, mes fundit të majit dhe korrikut 2025, në zonën e Asinarës janë regjistruar anomali maksimale të temperaturës së sipërfaqes së detit prej 3.5 gradësh mbi pragun klimatik normal.

Vlera të ngjashme janë regjistruar edhe në Tavolara, Capo Carbonara dhe në Capo Milazzo në Siçili, ku temperatura ka qenë gati 3 gradë mbi normalen.

Në thellësitë mes 30 dhe 40 metrave janë matur “edhe 25 gradë Celsius, temperatura që shkakton stres të madh te organizmat që jetojnë në fundet shkëmbore të detit”.

Në ishullin Elba, gjithashtu në zonat e thella, është vërejtur një përkeqësim gradual i gjendjes ekologjike të komuniteteve bentonike dhe të gorgonieve.

“Prandaj duhet të rrisim masat mbrojtëse dhe të ulim emetimet, sepse asnjë zonë nuk është më e mbrojtur nga pasojat e krizës klimatike”, përfundon organizata Greenpeace.

/tvklan.al

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme