Kapet Egzon Reshani teksa tentonte të kalonte kufirin drejt Serbisë

Shpërndaje

Egzon Reshani është arrestuar nga Policia e Kosovës në një përpjekje për t’u larguar drejt Serbisë.

Ngjarja u regjistrua më 3 gusht, pak pas orës 22:00, në zonën e fshatit Karaqevë e Poshtme. Gjatë patrullimit dhe vëzhgimit të vijës kufitare, zyrtarët e Policisë Kufitare identifikuan një automjet të dyshimtë që po lëvizte nga fshati Breznicë në drejtim të territorit të Republikës së Kosovës.

Automjeti u ndalua nga policia në fshatin Novosellë. Gjatë kontrollit, pasagjeri Egzon Reshani doli nga automjeti dhe tentoi t’u shmangej zyrtarëve duke vrapuar drejt vijës kufitare, në drejtim të Serbisë.

Forcat policore e ndaluan të dyshuarin pranë kufirit, duke e penguar kalimin e tij jashtë territorit të Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës, ndaj Reshanit ishte aktiv një urdhërarrest, pasi ai kërkohej nga organet e drejtësisë për disa vepra të rënda penale: “Vrasje në tentativë”, “Fajde”, “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrim”.

Gjatë kontrollit fizik, zyrtarët i gjetën dhe i sekuestruan një thikë. Pas konsultimit me prokurorin kompetent, për rastin u nis procedurë për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.

Pas përmbylljes së veprimeve nga Policia Kufitare, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, të cilat do të vijojnë procedurat lidhur me urdhërarrestin dhe rastet për të cilat ai kërkohej.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme