Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka kujtuar vëllain e tij Agron Haradinaj, njërin prej luftëtarëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përvjetorin e vdekjes.
Në një postim në rrjetin social, Haradinaj është shprehur se po e kujton atë vetëm nga zemra, pasi që nuk dëshiron ta dallojnë nga shokët e tij të luftës, të cilëve, sipas tij, askush nuk po u shkon në përvjetore përkujtimore, përveç familjarëve.
“Vendosëm të të kujtojmë nga zemra, sepse nuk duam që të dallojmë nga shokët e tu, të cilëve pothuajse askush nuk po u shkon në përvjetore përkujtimore, përveç familjes. Jam i sigurt që as ti nuk do të doje të ndiheshe i dalluar nga shokët e tu të idealit, prandaj kam marrë një vendim të dhimbshëm. E di që nuk je lëkundur asnjë minutë mes dëshirës për të qenë unë pranë teje ose pranë shokëve tanë të idealit, të cilëve iu bë një padrejtësi skajshmërisht e padurueshme nga një gjykatë mesjetare për ndjekjen e shtrigave, të cilën historia juridike moderne do ta mbajë mend për sasinë më të madhe të padrejtësisë, paudhësisë, shpifjeve, poshtërimit, shëmtisë dhe dyfytyrësisë”, ka thënë Haradinaj në një postim në Facebook.