BDI: Anulimi i vendimit për Medresenë – një akt i rrezikshëm që godet liritë themelore dhe kohezionin ndërfetar

Shpërndaje

Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate ka reaguar ndaj vendimit për anulimin e statusit të Medresesë. Sipas partisë së Ahmetit ky vendim paraqet një akt të rrezikshëm që godet liritë themelore të kohezionit ndërfetar.

“Vendimi i fundit për të anuluar statusin e Medresesë përbën një precedent të rrezikshëm që trondit themelet e një shoqërie të barabartë, demokratike dhe gjithëpërfshirëse. Ky nuk është një vendim teknik – por një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtës për arsim fetar dhe ndaj lirive të garantuara me Kushtetutë dhe ligje. Ky akt dërgon një mesazh të qartë se ky regjim është i gatshëm të flijojë parimet themelore të drejtësisë dhe barazisë fetare”, thuhet në reagimin e BDI-së.

BDI u bën thirrje qytetarëve, bashkësive fetare, sektorit civil dhe partnerëve ndërkombëtarë që të mos qëndrojnë indiferentë ndaj këtij devijimi.

“Në vend që të mbrohen vlerat, ata po fshijnë institucione që prej vitesh kanë kontribuar për bashkëjetesë fetare, zhvillim kulturor dhe tolerancë. Më shqetësuese është se vasalët e LEN-it, me bashkëpunimin dhe heshtjen e tyre, po e legjitimojnë këtë drejtim antidemokratik dhe jo vetëm që po shkaktojnë dëme të pariparueshme, por edhe po manipulojnë me paturpësi opinionin publik, duke hedhur akuza të rreme dhe duke u shndërruar në instrument të shkatërrimit të arritjeve shoqërore. BDI u bën thirrje qytetarëve, bashkësive fetare, sektorit civil dhe partnerëve ndërkombëtarë – të mos qëndrojnë indiferentë ndaj këtij devijimi të rrezikshëm. Nuk është kjo një çështje partie – kjo është një çështje parimore, që prek lirinë, dinjitetin dhe barazinë e çdo qytetari. Nuk duhet të lejojmë kthimin pas. Do të kundërshtojmë me vendosmëri çdo përpjekje për përjashtim, përçarje dhe për minimin e lirive themelore të qytetarëve”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme