Besnikëria e diasporës ndaj Kurtit

Shpërndaje

Jetojnë me mijëra kilometra larg, por ndikimi i tyre në zgjedhjet në Kosovë është i pamohueshëm. Nga Parisi në Milano, kosovarët jashtë vendit vazhdojnë të mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje dhe udhëheqësin e saj, Albin Kurti. Por, çka e nxit këtë besnikëri të tyre?

Për Hilmi Gashin, 55 vjeç, Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja parti në Kosovë, që, krahas elementeve të forta shtetformuese dhe të mbrojtjes së sovranitetit, ka në agjendë edhe çështje sociale.

Për t’i ofruar mbështetje kësaj partie, të udhëhequr nga kryeministri aktual, Albin Kurti, ai udhëtoi nga Zvicra në Kosovë dhe votoi në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

“Lëvizja Vetëvendosje ka një agjendë sociale për mbrojtjen e nënave, grave, të rinjve dhe pensionistëve. E mbështet një ekonomi tregu me elemente sociale dhe e lufton korrupsionin”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Gashi, i cili tash e 33 vjet jeton në një qytezë në Kantonin e Bernit, thotë se e ka gjetur veten te programi i kësaj partie, edhe për faktin se ai vetë udhëheq një sindikatë që avokon për të drejtat e të rinjve, grave dhe imigrantëve.

Te synimet e Vetëvendosjes thotë se sheh “një shtet që ofron shërbime cilësore për qytetarët e tij – qoftë në shëndetësi, arsim apo administratë”.

“Vetëvendosje e ka ngritur Kosovën në agjendën politike jo si një shtet që pranon urdhra nga lart, por si një partner i barabartë në tryezë”, thotë Gashi.

“Për mua është e rëndësishme që kur vij në Kosovë, të pritem në kufi si njeri, e jo të plaçkitem. Këto gjëra më bëjnë të ndihem mirë, sepse vërehet përmirësim”, thotë mbështetësi i kamotshëm i Vetëvendosjes.

Për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, në diasporë u regjistruan afro 105 mijë votues kosovarë, prej të cilëve votuan rreth 80.000 – disa në përfaqësi diplomatike, disa me postë.

Nga numërimi i shumicës së votave nga diaspora, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje prin bindshëm, kundrejt Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ngjashëm edhe në zgjedhjet e para katër vjetëve, Vetëvendosje siguroi mbi 80 për qind të votave të diasporës.

Votues i kësaj partie, edhe atëherë, edhe tash, ishte Izet Dushi, i cili prej vitesh jeton në Halmstad të Suedisë.

Pensionisti 80-vjeçar thotë se ka votuar me postë, i nxitur nga “qeverisja e pakorruptuar e Kurtit” dhe “politikat e tij”.

Ai përmend “mbështetjen e Qeverisë së Kurtit për studentët, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe shtesat për fëmijë”, por thotë se në mënyrë të veçantë vlerëson përpjekjet për shtrirjen e autoritetit në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.

“A ka më mirë se të lëvizësh lirshëm në atë pjesë”, thotë Dushi, i cili aktualisht gjendet për pushime në Kosovë.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme