Ideja e Presidentit Vuçiç për të devijuar rrjedhën e lumit Ibër, i cili përshkon gjithashtu Kosovën, ka sjellë përplasje dhe replika mes Tiranës dhe Beogradit.
Ministri serb i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriç, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke e akuzuar Tiranën për përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga, siç pretendon ai, shkeljet e të drejtave të serbëve në Kosovë.
“Ajo që po dëshmojmë është një përpjekje e qartë për të ndryshuar temën dhe për të larguar vëmendjen nga shkeljet e vazhdueshme të të drejtave themelore të popullit serb në Kosovë dhe ‘Metohi’ ”, shkroi Gjuriç në postimin në platformën “X”.
Ai kritikoi gjithashtu Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, duke pretenduar se ajo është “dukshëm e heshtur” ndaj çështjeve që, sipas tij, lidhen me të drejtat dhe sigurinë e komunitetit serb.
“Lumi Ibër nuk rrjedh nëpër Shqipëri”, shkruan ai, duke vijuar se: “Shqipëria nuk ka bazë territoriale apo hidrologjike për të pretenduar një rol në përcaktimin e mënyrës se si Serbia menaxhon burimet ujore brenda territorit të saj”, deklaroi ai.
Gjuriç tha se përfshirja e Tiranës në këtë çështje ngre, sipas tij, “pikëpyetje rreth motiveve politike” dhe akuzoi Shqipërinë se po shpërfill atë që ai e cilësoi si “presion sistematik ndaj popullsisë serbe dhe sulme ndaj pronës serbe”.

