Me 27 vota “për” asnjë “kundër” dhe dy “të përmbajtur” Komuna e Tetovës e miratoi buxhetin e vitit 2026, që kap vlerën prej 2,7 miliardë denarë, apo 44,5 milionë euro. Numri “një’ i Tetovës, Bilall Kasami tha se ky buxhet paraqet rritje rreth 8 për qind krahasuar me vitin paraprak, ndërsa pjesa më e madhe do të fokusohet në investime kapitale.
“Është një buxhet zhvillimor që parasheh ndërtimin e shkollave të reja, rrugëve të reja, pishinave, ujë, kanalizim dhe gjithçka që ka të bëjë për një qytet më të mirë… Buxheti në total këtë vit shkon në 44,5 milionë euro, nga të cilat mbi 17 milionë euro shkojnë për investime kapitale…”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Opozita kishte kritika lidhur me këtë propozim buxhetin.
“Shohim se ka rritje më të madhe në investimet kapitale, dikund 60 për qind më tepër se në vitin e kaluar, që është shumë në rregull si duket në letër, por sipas materialeve që i pranuam e shohim se janë investime që janë bërë në vitin 2025, që ka të bëjë me fushatën zgjedhore, i bie që investimet që janë bërë në fushatën zgjedhore, ne tani do ti paguajmë në buxhetin e vitit 2026”, tha Agon Arifi, Këshilltarë, Më Mirë për Tetovën.
Por edhe përkundër kritikave, opozita e mbështeti buxhetin, ndërsa Arifi ishte një nga 2 këshilltarët që votuan të përmbajtur. /Alsat.mk

