Kurti: Konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për presidentin, çon drejt shpërndarjes

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur në një konferencë për media, pasi kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e diskutimeve me partitë parlamentare rreth zgjedhjes së presidentit të vendit.

Kurti tha se vetëm pasi të ketë dakordim për çështjen e presidentit, duhet të procedohet me institucionet tjera.

Në të kundërtën, Kurti tha se vendi mund të përfundojë në zgjedhje të reja.

“Siç theksuam duam t’i japim kohë vazhdimit të diskutimeve dhe arritjes së një marrëveshje politike apo konsensusi për presidentin.
Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për presidentin, praktikisht do të ishte parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit.

Ne që nga certifikimi i rezultateve, kemi dashur t’u japim shancë diskutimeve, siç patën kërkuar partitë opozitare pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025. Por, fatkeqësisht për shkak të dinamikave dhe zhvillimeve të brendshme në LDK, diskutimi u suspendua dhe takimin e radhës e patëm tek pardje, që nuk ishte kohë e mjaftueshme për të arritur dakordim politik. Është e nevojshme t’i jepet shansi vazhdimit të diskutimeve para se të lëvizim me konstituimin e Kuvendit.

Na duhet kohë shtesë për diskutime dhe vetëm kur ta kemi arritur dakordimin për çështjen e presidentit të procedojmë me institucionet tjera”, tha Kurti.

“Nga përvoja e kaluar duhet të lëvizim jo çdo gur, por çdo gurale, që të shmangim zgjedhjet e reja”, u shpreh Kurti.

Ai sërish i bëri thirre PDK-së dhe Aleancës për diskutime rreth çështjes së presidentit./Reporteri.net/

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme