Leyen kërkon ulje të tensioneve në Kosovë

Shpërndaje

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, vizitën e saj në Kosovë e nisi në takim me presidenten, Vjosa Osmani.

Pasi përfundoi takimin me Osmanin, von der Leyen zhvilloi u prit edhe nga kryeministri në detyrë, njeherësh deputet i Kuvendit, Albin Kurti. Ky takim u zhvillua në hapsirat e Kuvendit tek salla e mbledhjeve të kryesisë së këtij institucioni, kjo për shkak se Bashkimi Evropian i ka ndaluar takimet e zyrtarëve të lartë në objektin e Qeverisë në detyrë, për shkak të një vendimi të Gjykatës Supreme e cila ka thënë se nuk është ligjore ushtrimi i funksionit si anëtar i kabinetit qeveritar njëkohësisht edhe deputet i Kuvendit.

Pas takimeve presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nuk  u deklarua për media.

Por, ajo shkroi në rrjetin e saj social X se për Kosovën është e  rëndësishme të vazhdojë të ndërtojë institucione të fuqishme dhe t’i ulë tensionet në vend.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku që të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e unionit tonë. Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta, t’i ulë tensionet në vend, dhe gjithashtu t’i përfundojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, shkroi ajo.

Ndërkohë, nga zyra e presidentës Osmani përmes një kumtese për media bën të ditur se gjatë takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes duke nënvizuar se ndër vendimet e para të Kuvendit duhet ta miratojë Planin e Rritjes së BE-së, ndërsa ka kërkuar nga Bashkimi Evropian heqjen e masave ndaj Kosovës të vendosura gjatë vitit 2023.

“Në takim, Presidentja Osmani po ashtu theksoi domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta ndaj Kosovës, duke rikujtuar se edhe vetë Komisioni Evropian ka konfirmuar se këto masa duhet të hiqen, që nga propozimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në qershor 2024. Përgjatë takimit u diskutua për procesin e formimit të qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, si dhe për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, një ushtrim i rëndësishëm demokratik që edhe një herë dëshmoi profesionalizmin e institucioneve tona dhe përkushtimin e qytetarëve ndaj demokracisë. Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin për ndërhyrjet e vazhdueshme dhe të paligjshme të Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë, janë veprime destabilizuese që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare”, tha Osmani

Ndërkohë, nga zyra e kryeministrit në detyrë Albin Kurti bën të ditur se gjatë takimit me zyrtarët e lartë të BE-së, Ursula von der Leyen,  Kurti shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Presidentes von der Leyen për rrugëtimin evropian të Kosovës. Gjatë takimit po ashtu kyeministri ka kërkuar nga Leyen  nevojën që Komisioni Evropian të dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën.

“Kryeministri foli edhe për zhvillimin e zgjedhjeve lokale të mbajtura të dielën e kaluar, të cilat ishin të lira, demokratike dhe në përputhje me standardet më të mira evropiane. Theksoi rendësinë për një tranzicion të rregullt të pushtetit në komunat ku do të ketë ndërrim të qeverisjes, në respektim të plotë të kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës si dhe përkushtimin e qeverisë për të mbrojtur proceset demokratike nga çdo ndërhyrje e jashtme”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në kuadër të ciklit të vizitave të saj në vendet e Ballkanit Perëndimoi ka qëndruar për vizitë edhe në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovivë dhe Serbi.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme