Ministri për çështje Evropiane, Orhan Murtezani mori pjesë në Takimin Ministror të Iniciativës Adriatiko-Joniane dhe Kornizës së Strategjisë së BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR), një platformë rajonale që synon të forcojë bashkëpunimin dhe integrimin mes 10 shteteve të rajonit.
Në fjalën e tij, Ministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë për përparimin e përbashkët.
“Vetëm përmes bashkëpunimit rajonal të thelluar mund të ndërtojmë ekonomi më të fortë, lidhje më kualitative dhe jetë më të mirë për qytetarët”, u shpreh ai.
Ai gjithashtu vlerësoi Planin e reviduar të Veprimit të EUSAIR-it si një mundësi për përshpejtimin e integrimit evropian.
“Plani i reviduar i Veprimit të EUSAIR-it, me fokus në zgjerim, na hap mundësinë të përshpejtojmë rrugën drejt BE-së dhe të përforcojmë ndikimin pozitiv të reformave”, tha ministri.
Duke ritheksuar angazhimin e vendit për këtë proces, ai përfundoi: “Jemi të përgatitur ta udhëheqim këtë proces me përgjegjësi dhe ambicie, duke ndërtuar mbi praktikat e mira dhe duke sjellë energji të re për rajonin”.
Takimi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimit të integrimit evropian për vendet e përfshira në këtë iniciativë.