Pas një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë Nënoficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rreshter i Klasit të Parë, Sabit Rexhep Mazreku.
Lajmin e ka bërë të ditur Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila njoftoi se homazhet për të ndjerin do të mbahen sot në Kazermën “Evropianët e rinj” në Pomozotin, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet në orën 18:00 në varrezat e fshatit Goriq, Komuna e Malishevës.
Në njoftimin zyrtar, FSK-ja shprehu dhimbjen për humbjen e rreshter Mazrekut.
“Pas një sëmundje të rëndë ka ndërruar jetë Nënoficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rreshter i Klasit të Parë Sabit Mazreku.”
Në emër të Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, u shprehën ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe bashkëluftëtarët.
“I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, shokëve, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë pjesëtarëve të FSK-së.”
Sabit Mazreku ishte veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtar i Brigadës 122 “Imer Krasniqi” të Zonës Operative të Pashtrikut.
Pas luftës, ai vazhdoi shërbimin në Batalionin Gardist të Zonës së Dytë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe më pas në Brigadën e Mbështetjes Operacionale të FSK-së.
Deri në ndarjen nga jeta, ai shërbeu si nënoficer i lartë në Gardën Kombëtare të FSK-së.
I ndjeri ka lënë pas bashkëshorten, dy djem dhe një vajzë.