Gjatë periudhës provuese të sistemit “Qyteti i Sigurt”, kamerat kanë regjistruar një rekord në tejkalim të shpejtësisë së lejuar. Në rrethrrotullimin e Shkupit është “kapur” një shofer që e ka drejtuar automjetin me 231 kilometra në orë.
Informacioni u konfirmua nga shefja e Sektorit për Punë Komunikacioni në MPB, Maja Arsovska-Manov, dhe këshilltari shtetëror në kabinetin e ministrit, Vladimir Velkovski. Ata thanë se rekordi është regjistruar më 1 dhjetor.
“Kjo do të thotë që ne praktikisht kemi drejtues mjetesh që i trajtojnë rrugët si pista garash. Kjo edhe një herë konfirmon se na duhet sistem që punon 24 orë, e jo vetëm kur ka patrullë në terren. Gabimi me atë shpejtësi zakonisht përfundon me tragjedi, e jo vetëm me gjobë”, tha Velkovski.
Ndryshe, dje nga MPB informuan se në ditën e dytë të periudhës testuese të sistemit “Qyteti i Sigurt”, shpejtësia më e lartë e regjistruar ishte 209 km/h, ndërsa shpejtësia më e ulët për të cilën është shqiptuar gjobë ishte 51 km/h.
Më shpejt është vozitur në hyrje/dalje të Shkupit drejt Tetovës dhe në bulevardin “Nikola Karev”, ndërsa më së shumti shkelje për kalim në të kuqe janë regjistruar në kryqëzimin e rrugëve “Cvetan Dimov” dhe “Xhon KenedI”.
Nga të dhënat që MPB i ka për dy ditët e para, kanë vërejtur se ditën e dytë numri i shkeljeve është përgjysmuar – janë regjistruar 50.652 shkelje brenda 24 orëve, krahasuar me 110 mijë shkelje më 1 dhjetor, dita kur sistemi filloi regjistrimin.
Arsovska-Manov thotë se komunikacioni në kryeqytet po qetësohet ngadalë dhe numrat e shkeljeve po bien, megjithatë është ende herët të dilet me çfarëdo statistike dhe të thuhet: “Është mirë, ka përfunduar, po ulet.”

