Edhe njëherë ka reaguar rreth Propozim-ligjit për lojërat e fatit deputeti i Aleancës për Shqiptarët (ASh) z.Halil Snopçe. Ja reagimi i tij:
“Edhe një herë sqarova pse ky propozim ligj për lojërat e fatit është shkatërrues për familjet tona, për të rinjtë dhe për fëmijët tanë. Në vend që të mbrojë qytetarët, ai do të vazhdojë të prodhojë pasoja të rënda sociale dhe ekonomike, duke e thelluar dramën e shumë familjeve.
Statistikat flasin qartë. Industria e lojërave të fatit nuk është shkatërruese vetëm për familjet, por edhe për vetë shtetin. Ajo krijon varësi, rrënon ekonomi familjare, nxit probleme sociale dhe rëndon sistemin shëndetësor e atë të mbrojtjes sociale.
Deputetët e VLEN-it mburren me faktin se kazinot do të zhvendosen 500 metra larg shkollave. Por pikërisht këtu qëndron dallimi thelbësor mes nesh dhe tyre. Ne jemi për mbylljen e plotë të lojërave të fatit, sepse besojmë se vetëm kështu mund t’i mbrojmë fëmijët, të rinjtë dhe familjet tona.
Ndërsa VLEN-i, me këtë ligj, pranon dhe legalizon vazhdimin e funksionimit të kazinove. Kjo do të thotë se është dakord që kjo industri të vazhdojë të ushtrojë ndikimin e saj shkatërrues mbi jetën e qytetarëve.
Distanca prej 500 metrash është vetëm një justifikim. Ajo nuk e zgjidh problemin, nuk e ndal varësinë dhe nuk i shpëton familjet nga pasojat e rënda të lojërave të fatit. Për sa kohë kazinot vazhdojnë të funksionojnë, do të vazhdojnë edhe vuajtjet, dramat familjare dhe shkatërrimi i jetëve të shumë qytetarëve”.

