Njëzet e gjashtë vjet pas bombardimeve të NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë, në Serbi mbetet gjerësisht i përhapur narrativi për mijëra civilë të vrarë, ashtu si edhe pjesëtarë të forcave të armatosura.
Kjo u pa edhe në protestën që u organizua nga studentët në Beograd, përpara godinës së ish-Shtabit të Përgjithshëm, më 24 mars – në përvjetorin e 26-të të fillimit të bombardimeve.
Në thirrjen për tubim, të cilën studentët e publikuan në faqen në Instagram “Studentët në bllokadë”, thuhej se gjatë 78 ditëve bombardime, u vranë 2.500 civilë dhe 1.031 pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë.
Ata iu referuan të dhënave të Ministrisë serbe të Mbrojtjes, sipas të cilave nga bombardimet humbën jetën edhe 89 fëmijë.
Këto të dhëna, me disa variacione, janë përmendur ndër vite në ceremonitë zyrtare me rastin e përvjetorëve të fillimit të ndërhyrjes së NATO-s.
Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), gjatë pothuajse tre muajve bombardime kanë humbur jetën gjithsej 756 persona.
Nga ta, 451 kanë qenë civilë, ndër të cilët 217 shqiptarë, 204 serbë dhe 30 romë apo pjesëtarë të grupeve të tjera etnike.
Sa u përket viktimave nga radhët e forcave të armatosura, 276 kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë së Jugosllavisë apo të MPB-së së Serbisë, ndërsa 29 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Këto janë të dhënat më të besueshme për viktimat e sulmeve ajrore të NATO-s në vitin 1999. Për vite me radhë kemi ftuar publikun që, nëse dikush ka ndonjë të dhënë për ndonjë viktimë, të na e japë, por askush nuk është lajmëruar”, thotë për Radion Evropa e Lirë Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare.
Në një raport të publikuar në vitin 2014, janë paraqitur emrat dhe mbiemrat e viktimave, përkatësia etnike, data e lindjes, si dhe vendi dhe data e vdekjes.