I riu 19-vjeçar nga fshati Ramjan i Vitisë, Dion Emërllahu, ka vdekur të premten pas plagëve të marra nga një aksident i rëndë në Itali, i ndodhur më 21 korrik.
Lajmin e ka bërë të ditur faqja e fshatit Ramjan, ku thuhet se Emërllahu ishte nisur nga Franca për të ardhur në Kosovë, bashkë me familje.
Ndërkaq, sipas mediumit “BresciaToday“, që kishte raportuar mbi aksidentin që i mori jetën të riut kosovar, Emërllahu ishte përplasur me një kamion teksa po drejtonte një furgon.
Aksidenti ndodhi me 21 korrik në autostradën A4 pranë Calcinatellos duke shkuar drejt Veronës.
“Pasi mori ndihmën e parë në vendngjarje, ai u transportua me helikopter në spitalin Civile në Brescia”, shkruhet në artikullin e “BresciaToday”.
Mediumi tjetër italian “Giornale di Brescia” kishte raportuar se aksidenti ndodhi rreth orës 11:15 të së martës.
Faqja e fshatit Ramjan bëri të ditur se familja e Dionit ishin nisur nga Franca me dy automjete. Në njërin automjet ishte babai i tij, Avniu me familje, dhe në tjetrin Dioni.
Në njoftim u tha se trupi i pajetë i Dionit është ende në spital, ndërsa për detajet e varrimit do të njoftohen të afërmit më vonë.

