Në një atmosferë të jashtëzakonshme me praninë e qindra qytetarëve të përkushtuar, në sheshin “Skënderbeu” u bë hapja zyrtare e Shtabit Qendror VLEN, një moment që shënon fillimin e një rrugëtimi drejt fitores së madhe në tetor. Ky shtab do të jetë më shumë se një qendër organizative, do të jetë bërthama e energjisë politike, vendi ku lind ndryshimi, ku forcohet shpresa dhe ku ndërtohet e ardhmja.
Bekim Qoku, një nga drejtuesit e VLEN, theksoi se ky shtab do të jetë “vendi i prodhimit të energjisë që do të shërbejë për fitoren e tetorit”, duke vënë në pah projektet konkrete të qeverisjes aktuale, si rruga Tetovë-Prizren dhe përkushtimin ndaj bashkëpunimit rajonal me Shqipërinë dhe Kosovën. Ai tha: “Nuk mund të mos merremi me politikbërjen e atyre që ndërtuan qendra tregtare 35 milionëshe, ndërsa ne investuam për Universitetin Nënë Tereza. Ata larguan gjysmë milioni shqiptarë, ne po punojmë për kthimin e tyre”. Qoku mbylli fjalimin me një mesazh të fuqishëm: “Vitin e kaluar e kisha një sllogan: Erdhi dita Ali opozita. Sot, e di që po vjen data BDI ‘non grata’!”
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti tha me bindje se VLEN ka arritur për një vit më shumë se BDI për 22 vite. Ai theksoi: “Ata le të na tregojnë vitin e tyre më të mirë për punësim, nuk e kalon dot atë që ne po bëjmë tani. Po mbyllim kazino, po hapim vende pune dhe po rregullojmë drejtësinë!” Mexhiti theksoi qëllimin e qartë të VLEN: “Ata janë bërë bashkë për Soravinë, për llotarinë, por jo për qytetarin. Ne po bëjmë dallimin çdo ditë!”
Zëvendëskryeministri Arben Fetai theksoi se zgjedhjet e tetorit janë betejë për të ardhmen: “Shqiptarët u bashkuan kundër krimit dhe korrupsionit. VLEN është antipod i atyre që tregtojnë komuna si në pazar”. Duke reflektuar mbi tradhtitë politike dhe pazaret pa parime, Fetai shtoi: “Dy Aleanca janë dorë për dore në prehrin e Alisë, ne jemi këtu për t’i dhënë fund këtij sistemi anti-vlerash”.
Bilall Kasami, kryetar i Tetovës, tha se ky masivitet nuk është thjesht hapje shtabi, por vulosje e fitores. Ai kujtoi sukseset e komunës që drejton: “Tetova kishte gropa dhe ujë të ndotur, sot flasim për rini, festivale e zhvillim. Çairi sot është model për gjithë vendin. Na duhen menaxherë të zotë, jo kukulla partiake”, tha Kasami duke shtuar se fitorja e VLEN nuk është për politikanët, por për qytetarët.
Zeqirija Ibrahimi kërkoi përkrahje që ndryshimi nga niveli qendror të bartet edhe në komuna. Ai tha se familja shqiptare meriton më shumë: “Nëse s’keni asnjë arsye për të votuar VLEN, kini parasysh një gjë – ne jemi të vetmit që do të mbrojmë familjen tradicionale shqiptare, dinjitetin e saj, të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha Ibrahimi dhe shtoi se zgjedhjet janë referendum dhe pyetja është: “A jeni për menaxhimin e komunave nga VLEN, apo për rikthimin e krimit të Soravisë? Në tetor nuk votojmë vetëm vulosim fatin tonë”.
Dhe për fund shefi i këtij shtabi, Adnan Azizi, tha se po ndjehet i rrethuar me shumë shokë e shoqe. Azizi përçoi plan organizativ në veprim me çka theksoi se do të depërtojnë në çdo mëhallë ku ka shqiptarë për të siguruar fitoren e tetorit. “Betejat e mëdha nisin nga sheshi më ashtu si ne sonte po e nisim në këtë shesh, ky është fillimi që do të pasojë me hapjen e qendrave të tjera në çdo qytetë e mëhallë ku ka shqiptarë. Ju e dini mirë që zgjedhjet që na presin janë zgjedhje për pushtet lokal. Oponentët tanë po frikësohen nga dënimi i keqqeverisjes me komunat që kanë qeverisur, ata po kërkojnë votë për të mbijetuar politikisht, për të shpëtuar nga drejtësia”, tha ai.
VLEN nuk është vetëm një koalicion, është një lëvizje. Një bërthamë e vlerave, një gur themeli për shtetin e së ardhmes. Energjia që shpërtheu sonte në Shkup nuk është e rastësishme, është sinjal i qartë se ndryshimi ka ndodhur, e ardhmja po ndërtohet dhe fitorja po vjen.
Në tetor, VLEN përfaqëson dinjitetin, zhvillimin dhe shqiptarët që nuk pranojnë më të jenë në vend numëro. VLEN, sepse shqiptarët meritojnë më shumë.
Në vazhdim jua dërgojmë materialet nga eventi i hapjes së shtabit qendror.