Shkruan: Florian Nesimi
Prishja e koalicioneve te partitë shqiptare sigurisht nuk është një lajm i mirë për demokracinë. Para zgjedhjeve të vitit të kaluar kishim dy koalicione brenda bllokut shqiptar: Fronti Evropian dhe Vleni. Sot, një vit pas zgjedhjeve, Fronti Evropian nuk ekziston më dhe Vleni nuk funksionon në të njëjtin format.
Menjëherë pas zgjedhjeve, pasi nuk u bë pjesë e qeverisë, Fronti Evropian u shemb. Menduh Thaçi u largua nga koalicioni, nuk i shohim Arijanit Hoxhën dhe Skender Rexhepi-Zejdin në atë koalicion dhe duket se partitë rome, boshnjake dhe turke nuk janë më pjesë e koalicionit. BDI në mënyrë të pavarur çdo ditë formon shtabe politike dhe as Aleanca e Selës nuk është pjesë në ato shtabe. Kështu, përshtypja e përgjithshme është se Fronti Evropian funksionoi vetëm për aq kohë sa ekzistonte interesi i pushtetit dhe autoritetit personal.
Këto ditë shohim se edhe koalicioni Vlen po shembet me daljen e Aleancës së Taravarit, ndërsa partitë e tjera kanë nisur procesin e formimit të një partie të përbashkët. Shembja e koalicionit pas vetëm 10 muajsh nga formimi i qeverisë nuk është një lajm i mirë për demokracinë apo për qytetarët që presin rezultate nga qeveria për një jetë dhe standard më të mirë jetese, e jo shembje koalicionesh për shkak të mosmarrëveshjeve të ndërsjella.
Në botën demokratike, ndër të tjera, ekzistojnë dy lloje koalicionesh: të brishta dhe të qëndrueshme.
Italia shquhet për koalicionet e brishta, ku lëvizjet politike janë aq të shpeshta sa që nga viti 1945 deri në ditët e sotme kemi pasur gjithsej 65 qeveri, që do të thotë se jetëgjatësia e një qeverie në Itali është rreth një vit. Nga ana tjetër, Gjermania njihet për koalicione të qëndrueshme, ku qeveritë formohen pas negociatave të zhvilluara me kujdes dhe ku sistemi politik ndërtohet për stabilitet.
Dhe ne si shoqëri në të cilën ka një numër shumë të madh partish, sigurisht që duhet të përpiqemi drejt një sistemi koalicionesh që garantojnë stabilitet, e jo drejt një sistemi ku koalicionet janë të brishta dhe formohen vetëm në bazë të interesave personale për pushtet.
Në fund të fundit, demokracia nuk ka të bëjë vetëm me numrat, dhe qeveritë në demokraci formohen bazuar në parime, jo në numra. Koalicionet nuk janë vetëm marrëveshje të përbëra nga numrat, por janë edhe marrëveshje politike që duhen respektuar në emër të stabilitetit dhe funksionimit normal të institucioneve. Dhe kur koalicionet shpërbëhen, qytetarët ndihen të tradhtuar.