Duke bllokuar eurointegrimin, Mickoski ruan shtetin e kapur maqedon

Shpërndaje

Shkruan: Naser SELMANI

Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga qëndrimi kundër ndryshimeve kushtetuese pa njohjen zyrtare të pakicës maqedonase nga Bullgaria. Ky qëndrim, ndonëse i vjetër, ka marrë formë tjetër: nga mbrojtja e identitetit maqedonas është zhvendosur drejt kërkesës për reciprocitet në të drejtat e pakicave.

Më herët, qeveria përdorte propagandë mediatike për të paraqitur përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë si kërcënim ndaj identitetit kombëtar. Por tani është bërë e qartë se ky argument nuk qëndron përballë faktorit ndërkombëtar , njohja e një pakice nuk cenon identitetin e një kombi.

Sot, Mickoski kërkon njohjen e maqedonasve në Bullgari, por si vend kandidat, Maqedonia e Veriut nuk ka pozita të barabarta me Bullgarinë si anëtare e BE-së. Kërkesa për kushte ndaj një shteti anëtar është jorealiste dhe shërben më shumë për konsum të brendshëm sesa për arritjen e rezultateve konkrete.

Mickovski e di se nuk mund të sfidojë politikën bullgare, por i jep qeverisë së tij një justifikim nacionalist për të vonuar negociatat me BE-në.

Kjo mungesë vullneti u pa edhe në procesin e anëtarësimit në NATO, që u arrit vetëm pas një ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare. Tani, qeveria nuk tregon gatishmëri për të përmbushur obligimet e kornizës negociuese me BE-në, duke e futur vendin në bllokadë dhe duke ngritur dyshime për përkushtimin ndaj integrimit evropian.

Shembull i kësaj sjelljeje është marrja e kredive të paqarta britanike, ndërkohë që BE ofron fonde të pakthyeshme. Madje ish-deputeti i VMRO-së, Petar Pop Arsov, e justifikon këtë si ndërtim të marrëdhënieve strategjike me Britaninë, në mungesë të perspektivës evropiane.

Qëndrimi refuzues i qeverisë shihet edhe nga justifikimet që ofron për të mos futur bullgarët në Kushtetutë. Vendi paraqitet si viktimë e një procesi të paprecedentë për zgjidhjen e kontesteve me fqinjët. Por shembujt e Kroacisë dhe Sllovenisë tregojnë se kur ekziston vullnet politik, zgjidhjet gjenden, edhe atëherë kur në pyetje janë mosmarrëveshjet territoriale.

Një tjetër tezë e rreme e pranishme në retorikën qeveritare është se BE po tregohet e padrejtë me Maqedoninë e Veriut. Në fakt, është e njohur botërisht se asnjë vend nuk mund të anëtarësohet në BE pa zgjidhur kontestet bilaterale. Nëse një vend nuk është në gjendje të zgjidhë problemet me fqinjët, si mund të kontribuojë në një bashkësi që funksionon mbi konsensusin?

Së fundi, qeveria pretendon se nuk po vlerësohet për reformat. Por është e paqartë për cilat reforma bëhet fjalë, kur Maqedonia e Veriut është i vetmi vend kandidat që ka miratuar ndryshime skandaloze në Kodin Penal, duke shpëtuar nga ndjekja penale qindra zyrtarë të lartë të dyshuar për korrupsion.

Qeveria aktuale ka pasur një vit kohë për ta korrigjuar Kodin Penal dhe për të rikthyer veprën e “keqpërdorimit të detyrës”, por nuk e ka bërë. Dyshimi është i arsyeshëm: sa funksionarë të tjerë duhet t’i shpëtojnë drejtësisë, që qeveria të vendosë ta ndryshojë Kodin?

Nga ana tjetër, vetë qeveria deklaron se gjykatat janë të kapura, duke vënë në pikëpyetje vendimet e tyre. Në këto kushte, për cilat rezultate të reformave flitet, kur mungon shteti i së drejtës dhe pavarësia gjyqësore?

E vërteta është më e thjeshtë se sa paraqitet: elitat politike maqedonase nuk e dëshirojnë integrimin evropian. Sepse një pjesë e madhe e maqedonasve etnikë tashmë janë qytetarë të BE-së, përmes shtetësisë bullgare.

Nëse mbi 150 mijë maqedonas etnik kanë pasaportë bullgare, atëherë shumë prej tyre tashmë gëzojnë benefitet e BE-së. Ato punojnë, studiojnë nëpër vende të ndryshme evropiane, njësoj sikur të gjithë qytetarët evropian. Ndërsa pjesa tjetër në vend, përmes korrupsionit të shfrenuar institucional, pasurohen brenda sistemit aktual.

Të vetmit që kanë arsye të sinqerta për të kërkuar BE-në janë shumica e shqiptarëve, pakica e maqedonasve dhe bashkësitë e tjera etnike, që ende përballen me diskriminim të egër.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme