Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk mund të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, pasi afati për ankesa është ende në proces. Që nga ora 17:00 e ditës së djeshme, vetëm një orë pasi KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka nisur rrjedhja e afatit 48-orësh për paraqitjen e ankesave.
Të gjitha subjektet politike dhe kandidatët për deputetë kanë të drejtën që brenda këtij afati të dorëzojnë ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e më pas, nëse nuk janë të kënaqur, t’i drejtohen Gjykatës Supreme.
Vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave ligjore dhe zbatimit të vendimeve të tyre, KQZ-ja mund të kalojë në fazën e certifikimit të rezultateve, e cila është e domosdoshme për konstituimin e institucioneve të reja.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për RTK deklaroi se procesi zgjedhor nuk përfundon me shpalljen e rezultateve përfundimtare, pasi ligji parashikon të drejtën për ankesa në instancat përkatëse.
Sipas një përllogaritjeje të bërë nga Eugen Cakolli, ekspert nga rrjeti i Organizatave Demokracia në Veprim, ky proces mund të zgjasë deri në 12 ditë për shkak të numrit të lartë të ankesave që pritet të dorëzohen.
Ai theksoi se 6 ditë janë të parapara për trajtim në PZAP dhe 6 të tjera në Gjykatën Supreme, pa llogaritur vonesat që mund të shkaktojnë vendimet e këtyre institucioneve.
Sipas planit të KQZ-së të miratuar në gusht të vitit të kaluar, afati i fundit për shpalljen e rezultateve përfundimtare ishte 5 marsi, ndërsa certifikimi i tyre ishte planifikuar për 18 mars.
Megjithatë, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka pranuar se ka pasur vonesa për shkak të ndryshimeve ligjore që kanë shtuar detyrimet për institucionin që ai drejton.
Ndërkohë, Kosova pritet të hyjë sërish në një proces zgjedhor në vjeshtë, kur do të mbahen zgjedhjet lokale.
Sipas Radoniqit, përvoja nga këto zgjedhje mund të shërbejë si mësim për përmirësimet e nevojshme në procesin zgjedhor të ardhshëm.