Shkruan: Florian Nesimi
Pas shumë dilemash e polemikash, Taravari edhe përfundimisht u largua nga Qeveria. E lëvizjet e këtilla “herë me njërën e herë me palën tjetër” janë bërë disa herë edhe në të kaluarën, por këtë radhë për publikun mbetet e paqartë arsyeja e saktë e largimit, pasi argumentet u ndryshuan disa herë. Fillimisht si arsye ishte që 70 përqind e shqiptarëve nuk i besojnë kësaj qeverisje, më pastaj se problemi qëndron te listat e këshilltarëve, e që në fund të deklarohet se pritet të arrihet marrëveshje me BDI-në për zgjedhjet lokale. E ndryshimi i shpeshtë i argumenteve nuk është i mirë për personalitetin e një politikani, pasi ata identifikohen si politikanë pragmatikë që ndryshojnë qëndrimet e tyre sipas rrethanave, dhe fatkeqësisht kjo është një tregues i mungesës së një ideologjie të qëndrueshme dhe mungesë e parimeve. E politikanët që shpesh ndryshojnë taboret politike duket se politikën e shohin si një lojë pazari e jo si angazhim për të zgjidhur problemet e qytetarëve. Sot me njërin-nesër me tjetrin, ndërsa populli mbetet gjithmonë i mashtruar.
E si arsyetim për dalje nga qeveria u përdor edhe fraza “ne nuk kemi lindur në qeveri”. Por e vërteta është se askush nuk ka lindur në qeveri, por kur e merr pushtetin, ti nuk merr vetëm privilegje por edhe përgjegjësi për të zgjidhur problemet e qytetarëve. Dhe largimi nga qeveria nuk mund të fshihet pas frazave poetike, sepse qeveria nuk është një vend ku ti qëndron teksa ndihesh mirë, por është edhe vendi ku merren vendimet për çështjet të cilat i tangojnë qytetarët.
Votuesit dhe aktivistët e ASH-së mesiguri se nuk e kanë pritur mirë prishjen me VLEN-in dhe daljen nga qeveria, sepse ata para një viti kanë votuar për ndryshim. Periudha në vijim do të jetë sfidë e madhe për Taravarin. Ai do të ballafaqohet me funksionarë dhe aktivistë të cilët nuk do të ndjekin rrugën e tij dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë me VLEN-in. E ai do të përpiqet të bindë elektoratin e tij se e vërteta është në anën e tyre, por në të njëjtën kohë do të përpiqet të arrijë një marrëveshje me BDI-në për zgjedhjet lokale, gjë që mendoj se do të jetë e vështirë pasi që BDI atij nuk i jep mbi dy komuna. Po ashtu as Fronti Evropian nuk do t’a pranojë ASH-në aq lehtë, për shkak të frikës që mos prishen raportet partike brenda frontit.
Dalja e Taravarit nga Qeveria është si një infuzion për BDI-në e cila tani do të bëhet edhe më e zëshme duke kontestuar legjitimitetin e VLEN-it. Nga BDI-ja ditë për dite do të deklarojnë se numri i nëntë deputetëve shqiptarë në shumicën parlamentare nuk është i mjaftueshëm për të përfaqësuar shqiptarët në Qeveri. Por kjo sipas mendimit tim aspak nuk qëndron pasi legjitimitetin VLEN-i e ka fituar në kutitë e votimit ku ka arritur një rezultat zgjedhor prej 107 mijë votash. Pazarllëqet që bëhen pas zgjedhjeve në korridoret e fshehta për kalim të deputetëve nga njëri tabor në taborin tjetër politik, nuk e dëmtojnë legjitimitetin e fituar në zgjedhje.
BDI-ja, e cila siç duket nuk është në gjendje të krijojë një identitet të ri politik dhe një vizion të qartë për të ardhmen, vazhdon të refuzojë që të reformohet. Dhe duke mos patur çka të ofrojnë për zhvillimin e komunave në vigjilje të zgjedhjeve lokale, ato vazhdimisht e hedh topin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Por kur nuk kanë kaluar akoma as një vit nga formimi i qeverisë, kërkesa për zgjedhje të parakohshme është jashtë çdo logjike. Për zgjedhje të parakohshme nuk është e interesuar as VMRO-ja e cila momentalisht ka një shumicë stabile. VMRO dhe VLEN do të punojnë fortë për t’i fituar komunat më të mëdha urbane. Dhe me fitoren eventuale të VLEN-it në zgjedhjet lokale, ata do të dëshmojnë se e kanë besimin e plotë të qytetarëve. Në periudhën që pason mund të ketë zhvillime tjera politike, por qytetarët nuk duan më të shohin teatër politik nga politikanët e vjetëruar që vazhdojnë të mashtrojnë me premtime të cilat vetë ata asnjëherë nuk i realizuan.