Fati i Evropës

Shpërndaje

Shkruan: Blerim SHALA

Evropa e sotme, si Bashkimi Evropian, ka hyrë ditëve të fundit në një ndërmarrje të cilën asnjëherë nuk e ka bërë në historinë e saj disa mijëra vjeçare: Që ta merr fatin e saj në duart e veta.

Kurrë në gjithë historinë e Evropës që shquhet me tragjedi dhe përparime të shumta, me luftëra dhjetëra vjeçare dhe shpërthime në filozofi, në shkencë, në teknologji, nuk ka ndodhur që e tërë Evropa të jetë e bashkuar për të vendosur për fatin e vet.

Kemi pasur natyrisht, përpjekje të shteteve të mëdha të Evropës që ato të jenë përcaktuese të drejtimit që do të merr kontinenti i vjetër. Këto ndërmarrje janë shfaqur në dy shekujt e fundit me luftërat e Napoleon-it, pastaj, me luftërat që njihen si Lufta e parë dhe e dytë botërore.

Evropa e ndarë në dysh pas vitit 1945, në atë anën perëndimore dhe lindore, me një përvojë kaq të rëndë dhe tragjike, arriti që ta gjejë paqen me vetveten, falë nismës franko-gjermane e cila më në fund do të shndërrohet në Bashkimin Evropian.

Natyrisht, pas vitit 1989, ndodhi unifikimi i thuaja gjithë Evropës. U llogarit, asokohe, që Evropa, e cila kishte hisen më të madhe në krijimin e rrethanave për luftërat e mëdha botërore, është shndërruar në një kontinent paqe.

Idila e kësaj Evrope u prish me shpërbërjen e përgjakshme të shtetit të RSFJ-së, në vitet 1991-1992, dhe më pas, me luftërat në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë.

Pos që Evropa nuk ishte në gjendje ta mbajë paqen kudo, ajo dështoi me ka krejt (si thuhet), së bashku me OKB-në, për t’i ndalur këto luftërat lokale (nga pikëshikimi evropian), që patën pasoja globale për fuqinë reale politike dhe ushtarake të saj.

U dashtë sërish që Amerika, atëherë e Administratës së Presidentit Bill Clinton, të ndërhyjë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë, për t’i shpëtuar popujt e tërë dhe për ta nxjerrë Evropën nga balta e pafuqisë.

Na kujtohet që asokohe, Richard Holbrooke, diplomati më i shquar amerikan i epokës që do të quhet Pax Americana, do të pohojë në mënyrë të prerë që ’Amerika është një fuqi evropiane’, për t’i shmangur kështu të gjitha kritikat në Evropë, por edhe në vet Amerikë, për detyrën që kishte marrë SHBA-ja në ato vite.

Zatën, paqja në Evropë, në këtë harkun kohor 1945-2022 (deri pra në shpërthimin e luftës në Ukrainë), është mbajtur kryekëput si rezultat i këtij angazhimit të Amerikës së fuqi evropiane dhe të krijimit të Aleancës Veri-Atlantike, në vitin 1949.

Bashkimi Sovjetik i asaj kohe, ka pasur mundësi, po të mos ishte Amerika, ta merrte edhe një hise tjetër të madhe të Evropës.

Natyrisht, kjo është një histori e njohur për të gjithë ne.

Nuk ka kush këtu dyshime se çka do të ndodhte me Evropën deri tash pa Amerikën, pa këtë mburojën e madhe ushtarake, në kuadër të Paktit NATO që përfshinë edhe Nenin 5 të Traktatit dhe atë mbrojtjen nukleare.

Por, vështirë është të gjindet kush në Evropën e sotme, i cili mund ta di, me një saktësi që ofron siguri në parashikim, se në ç’mënyrë do të mund të mbërrihet një qëllim i cili asnjëherë nuk është sendërtuar në të kaluarën e gjatë të kontinentit i cili është përgjegjës për krijimin e qytetërimit perëndimor. Pra, qysh do të mund Evropa të vendos vet për fatin e saj, në të gjitha aspektet e mundshme, përfshirë këtu edhe këtë dimensionin ushtarak, apo të mbrojtjes, pa ndihmën direkte të SHBA-së, ndërsa SHBA-ja e Administratës së Presidentit Trump, ka ka dhënë shenja të qarta që mund të vendosë që të heq dorë nga roli dhe mandati i saj në mbrojtjen e paqes në Evropë.

Evropa pra, është e detyruar të ndërmarrë këtë hap të madh në interes të ruajtjes së paqes dhe në përgatitje për mbrojtje nga një agresion eventual i Rusisë, apo kujdoqoftë tjetër.

Në të vërtetë, e tëra kjo ndërmarrje, natyrisht nëse shkon mbarë e mirë, do të mund më në fund një gjigand ekonomik çfarë është BE-ja, ta transformojë në një lojtar të dorës së parë politik dhe të sigurisë në Botë.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme