Qyteti i trëndafilave është kthyer vitet e fundit në një destinacion për vizitorët vendas të huaj.
Kjo ka bërë që në këtë qytet të shtohen edhe mjediset mikpritëse për vizitorët.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale shembullin e dy të rinjve të cilët me mbështetjen e prindërve kanë hapur një hotel në Përmet.
““Hotel White Villa” është një model i shkëlqyer i mikpritjes nga dy të rinj përmetarë, Keli dhe Angjelina me mbështetjen e padiskutueshme të prindërve, të cilët mjediset ku dikur tregtonin mallra të zakonshëm, tashmë i kanë rijetëzuar si hotel dhe lokal mikpritjeje me produktet e zonës, përgatitur nga nëna dhe verëm e prodhuara në fermë nga babai”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “gjithë rikualifikimi i lagjes dhe shëtitores ka nxitur ndryshimin e investimeve private drejt ekonomisë turistike”.
“Të dy të rinjtë si drita i janë futur sipërmarrjes turistike sepse nuk ka më dyshim njeri në Përmetin e Vjosës e të mikpritjes se ia vlen të investosh e të punosh në këtë destinacion të turizmit natyror me të cilin të gjithë bien në dashuri”, tha Kumbaro.
Keli tha se “nga një dyqan i thjeshtë i prindërve e shndërruam në lokal dhe hotel dhe të hedhim një hap tjetër drejt turizmit që po ecën shumë”.
Sipërmarrjet në fushën e turizmit në Përmet janë kthyer në një promotor të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik duke diversifikuar aktivitetet ekonomike dhe rritur punësimin.