Shkruan: Naser SELMANI
Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit Hristijan Mickoski dhe liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, ku u dakorduan të bashkëpunojnë për çështje me interes të përbashkët, dërgoi një mesazh të fortë për partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Ata treguan se, kur ekziston vullnet politik dhe interes i përbashkët, bashkëpunimi është i mundur edhe mes kundërshtarëve politikë.
Mickoski dhe Filipçe publikisht demonstruan gatishmërinë për të mbrojtur sistemin politik që në thelb shërben interesave të komunitetit maqedonas, duke bashkëpunuar sa herë që këto interesa rrezikohen.
Ky është një mësim i drejtpërdrejtë për partitë shqiptare, të cilat edhe pas 34 vitesh pluralizëm politik nuk kanë arritur të mësojnë nga gabimet e së kaluarës, duke dështuar të bashkërendojnë veprimet në funksion të interesit kolektiv shqiptar.
Shqiptarët e kanë paguar shumë shtrenjtë këtë mungesë pjekurie politike. Partitë e tyre ende nuk kanë arritur të formulojnë qartë interesat politike të shqiptarëve dhe as të ndërtojnë një mekanizëm efektiv bashkëpunimi për realizimin e tyre.
Në vend të dialogut dhe koordinimit, partitë shqiptare kanë zgjedhur rrugën e përçarjeve dhe përplasjeve të kota, shpesh të ushqyera edhe nga establishmenti shtetëror maqedonas për interesa të veta nacionaliste.
Kjo ka kontribuar që Maqedonia e Veriut të jetë sot një shtet me demokraci hibride, me mungesë të sundimit të ligjit, me korrupsion të thellë dhe me një atmosferë të hapur antishqiptare dhe antievropiane.
Paaftësia për të bashkëpunuar është një dukuri që e ndjek politikën shqiptare që nga fillimi i pluralizmit. PPD-ja, partia e parë shqiptare, u nda në dy krahë vetëm dy vjet pas themelimit: njëri që përkrahte bashkëpunimin me partitë maqedonase edhe përballë diskriminimit ekstrem, dhe tjetri që kërkonte një qasje më të ashpër.
Krahu i moderuar përdori të gjitha mjetet – legjitime dhe jo – për të luftuar PDSH-në e Arbën Xhaferit. Pas ndryshimit të pushtetit në vitin 1998, PDSH e shfrytëzoi fuqinë për të shkatërruar PPD-në, duke shkatërruar në të njëjtën kohë edhe vetveten përmes arrogancës dhe mungesës së vizionit.
Kjo krijoi parakushte për konfliktin e armatosur të vitit 2001 – një kryengritje jo vetëm kundër sistemit, por edhe kundër një partie shqiptare që kishte bërë përparim të konsiderueshëm për çështjen kombëtare.
Gabimi u përsërit më vonë nga BDI-ja, e cila jo vetëm që luftoi me ashpërsi opozitën shqiptare, por përdori edhe metoda jodemokratike, përfshirë instrumentalizimin e strukturave të sigurisë. Të gjithë i kujtojnë përgjimet famëkeqe të Musa Xhaferit, ku përgojonte një deputet të opozitës dhe diskutonte përçarjen e familjes së tij.
Sot, përplasja mes koalicionit qeveritar VLEN dhe BDI-së ngre pyetjen thelbësore: a do të vazhdojë kjo traditë vetëshkatërruese, apo do të nxjerrin mësim nga përvoja e hidhur? A do të arrijnë partitë shqiptare të komunikojnë dhe bashkëpunojnë për çështje madhore kombëtare, mbi baza të qarta?
Liderët e VLEN-it duhet ta kuptojnë se demokracia nuk është maratonë individuale, por vrapim me stafetë, ku suksesi nuk varet vetëm nga këmbët e shpejta të atletëve, por edhe nga aftësia për të bartur stafetën nga njëri te tjetri.
Është fakt se mënyra e papërgjegjshme e ushtrimit të pushtetit nga BDI-ja ka dëmtuar rëndë interesat shqiptare. Por historia ka treguar se kur një parti shqiptare përqendrohet në eliminimin e opozitës, në fund shkatërron vetveten.
A do të tregojë koalicioni VLEN më shumë mençuri sesa PPD, PDSH dhe BDI, kjo mbetet për t’u parë. Por një gjë është e qartë: përçarjet e vazhdueshme mes partive shqiptare përkthehen në përfitime për partitë maqedonase, ndërsa çmimin e paguajnë gjithmonë shqiptarët.