Shkruan: Naser SELMANI
Më 2 Maj 2001, Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK) shpalli Zonën e Lirë të Likovës, duke shënuar një kthesë të rëndësishme në konfliktin e armatosur të vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut. Ky veprim kishte karakter strategjik dhe simbolik: shpallja e një territori të çliruar nën kontrollin e UÇK-së synonte të tregonte jo vetëm fuqinë ushtarake të lëvizjes, por edhe vendosmërinë për të garantuar të drejtat kolektive të shqiptarëve në shtet.
Rajoni i Likovës, me një popullsi shqiptare thuajse tërësisht homogjene, u kthye për disa muaj në epiqendër të rezistencës shqiptare, duke u lidhur ngushtë me kërkesat për barazi, njohje kushtetuese të gjuhës shqipe, përfaqësim të drejtë dhe trajtim të barabartë në institucionet shtetërore.
Pas përfundimit të konfliktit dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit në gusht 2001, pritej që rajonet e përfshira në luftë, si ai i Likovës, të përfitonin nga procesi i rindërtimit dhe integrimit institucional. Megjithatë, ndodhi e kundërta:
Infrastruktura mbeti e pazhvilluar, shumë fshatra të Likovës vazhdojnë të kenë probleme me rrugët, ujin e pijshëm, kanalizimin dhe shkollat, madje edhe 24 vite pas luftës.
Shkalla e lartë e papunësisë dhe emigrimit, mungesa e investimeve dhe neglizhenca shtetërore kanë çuar në largimin masiv të rinisë nga rajoni, duke e zbrazur territorin që dikur simbolizonte sakrificën për të drejta.
Përkundër peshës së tij në historinë e re politike të shqiptarëve në vend, rajoni i Likovës rrallë përmendet në narrativën institucionale, dhe aktivitetet përkujtimore shpesh janë sporadike dhe të lëna në duar të individëve dhe veteranëve lokalë.
Shteti asnjëherë nuk e trajtoi rajonin e Likovës si pjesë integrale të rindërtimit pas konfliktit. Mungoi një qasje e koordinuar për të shndërruar rajonet simbol të luftës në qendra zhvillimi dhe nderimi.
Rajoni është trajtuar si “zonë e sigurt” në aspektin elektoral për partitë shqiptare, duke mos u vlerësuar përtej votës. Ky rajon prej vitit 2001 është bastion i BDI-së, partisë së dalë nga lufta, dhe pikërisht kjo parti e ka margjinalizuar si më keq. Kurrë pjesëmarrjen në qeveri nuk e përdori për të ndihmuar rajonin prej ku merrte legjitimitetin.
2 Maji nuk është vetëm datë përkujtimi i një ngjarrje të lavdishme historike. Është një pikë reflektimi kombëtar për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut: si është e mundur që një rajon që mbajti barrën e konfliktit, sot të jetë ndër më të margjinalizuarit?!
Kjo pyetje duhet të ngrihet çdo vit me zë të lartë, në institucione, në media, dhe në partitë politike shqiptare.
Subjektet politike shqiptare, por edhe politikanët lokal, urgjentisht duhet të marrin masa për ringritjen e rajonit. Likova duhet të përfshihet në projekte zhvillimore të veçanta kombëtare, si një ndëre rajonet më pak të zhvilluara.
Drejtuesit e komunës, në bashkëpunim me të gjitha instancat e pushtetit qëndror, duhet urgjentisht të adresojnë nevojat elementare të banorëve, qofshin për ujë të pishëm, kanalizime apo asfaltimin e rrugëve.
Memoriali i dëshmorëve në Sllupçan duhet të shëndrohet në vend peligrinazhi për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, që gjeneratat e reja të njihen me të kaluarën e tyre. Nëse një popull harron historinë e vet, nuk mund të pret ditë më të mira në të ardhmen.