Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste bëri të ditur sot se nga dhjetori 2024 në shkurt të këtij viti qeveria ka ndarë 165 milionë euro vetëm për bonusin e pensionistëve.
Në një takim me pensionistët në Gjirokastër, Rama u shpreh se “ne kemi bërë një hap përtej indeksimeve të pensioneve që janë ligjore detyruese”.
Së pari, kryeministri theksoi se në dy raste qeveria ka bërë dy herë në vit indeksim, duke pasur parasysh rritjen e çmimeve.
Por sipas tij, përtej indeksimeve, duke qenë se vendi është në fazën e rritjes të qëndrueshme të ekonomisë dhe ka të ardhura që tejkalojnë parashikimet kemi ndarë për pensionistët një bonus që është ai i fundvitit dhe ai i pranverës.
“Për të dyja bonuset bashkë, nga dhjetori në shkurt të këtij viti, ne faktikisht kemi ndarë 165 milionë euro vetëm për pensionistët nuk janë pak për shtetin shqiptar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë punë”, siguroi Rama.