Shkruna: Sefer TAHIRI
Shqiptarët në periudha të ndjeshme në të cilat janë gjetur bashkëqytetarët e tyre maqedonas gjithmonë kanë manifestuar humanizëm, solidaritet, bamirësi e bashkëndjesi në dhimbje. Më së miri në porosinë e tyre për tragjedinë në Koçan e kanë thënë nxënësit e Shkollës së mesme të mjekësisë në Tetovë “Flasim gjuhë të ndryshme, por qajmë njëjtë”!
“Cesarit jepini të gjitha ato që i takojnë”, është një fjali monumentale që daton nga Perandoria Romake.
Duke u nisur nga kjo maksimë veçojmë tre shembuj, që treguan qasjen humane të segmenteve të caktuara të shoqërisë shqiptare ndaj tragjedisë. Sado diversiv dhe të pjesshëm, ata përbëjnë mozaikun humanizues shqiptar. Tragjeditë shpesh na përbashkojnë, dhimbja krijon unitet, sepse jemi të ndryshëm në pikëpamje identitare, por në fund të gjithë jemi qenie njerëzore.
I pari, vendimi i degës së BDI-së në Butel që paratë për iftare me aktivistët dhe simpatizuesit të ridestinohen për të ndihmuar familjet e viktimave, me qëllim lehtësimin e barrës së tyre në këtë moment të rëndë! Gjest i bukur!
I dyti, vendimi i komunave, pavarësisht bekraundit politik, në të cilat jetojnë shqiptarët për ndarjen e një shumë të mjeteve buxhetore për personat dhe familjet që kanë pësuar nga tragjedia. Veprim i duhur!
I treti që për dallim nga dy të parët, që janë të natyrës politike dhe institucionale, është individual institucional. Angazhimi dhe përpjekja profesionale e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari në menaxhimin e situatës me personat e lënduar në tragjedi është për tu evidentuar si një shembull pozitiv i tragjedisë së errët, duke siguruar dërgim të një pjese të tyre në vendet e rajonit dhe në Evropë. Mbi të gjitha diskursi që ishte jashtëpolitik, pra mosshfaqja e asnjë tendence për përfitim partiak e politik nga gjendja posttragjedisë. Në të kaluarën jo që nuk ka pasur politizime të situatave të ndryshme.
Në anën tjetër, sado që në horizont duken tendenca jo të kristalta që tragjedisë në Koçanë t’i jepet konotacion etnik, diskursi i këtillë refuzohet me ngulm nga opinioni publik shqiptar, por edhe ai maqedonas.
Raportimet e qëllimshme mediatike për ndezjen e disa fishekzjarrëve në Butel dhe në Parkun e Shkupit, se gjoja nuk respektojnë zinë shtetërore dhe mveshja e tyre shqiptarëve ishte e ulët, por edhe jonjerëzore dhe antipolitike, kushdo qoftë që e ka menduar një skenar të tillë. Tragjeditë në tragjedi s’kanë të sosur.
Tendenca e transferimit të përgjegjësisë politike tek pushteti i kaluar dhe mosmarrja e asnjë përgjegjësie nga qeverisja aktuale është dëshmi e gjallë se këtu, në këtë vend vetëkritika apo vetëpërgjegjësia janë parime të huaja. Shpresojmë që respektimin e këtij standardi të qeverisjes, pushteti nuk mendon ta arsyetojë vetëm me dorëheqjen e kryetarit të komunës së Koçanës. Për atë që ndodh në shtet, përgjegjësinë morale dhe politike gjithmonë e ka pushteti dhe jo opozita, edhe atëherë kur pushteti trashëgon institucione të brishta dhe jofunksionale dhe kur nuk ka ndikuar drejtpërdrejti në shkaktimin e tragjedive të përmasave të mëdha.
Në vijë të shmangies nga përgjegjësia ishte edhe tentimi i pushtetit që të kufizojë mediat. Sado që gjendja është e ndjeshme, organizatat mediatike nuk duhej të pranojnë që qeveria të diktojë normat etike lidhur me raportimin nga varrimi, sado që thuhej se rregullat janë hartuar me koordinim mes politikës dhe medias. Nuk është pushteti ai që rregullon etikën mediatike, por janë vetë mediat përkatësisht organizatat e gazetarëve, bazuar tek Kodi etik, proces ky që njihet si vetërregullim mediatik. Shpresojmë që në të ardhmen kurrë të mos ndodhin tragjedi në këtë vend, pasi boll i ka pasur, por pavarësisht ndjeshmërisë së ngjarjeve asnjë pushteti nuk duhet t’i shkojë ndërmend që të rregullojë etikën gazetareske.
Si respektimi i privacisë, zisë personale dhe dhimbjes së njerëzve, ashtu edhe respektimi i prezumimit të pafajësisë përkatësisht parimit se përderisa gjykata nuk merr vendim, çdonjëri është i pafajshëm, është standard shekullor i gazetarisë. Por ky i fundit nuk u respektua, as nga institucionet e as nga mediat. Në të vërtetë nuk respektohet asnjëherë në vendit tonë. Shfaqja në media e dy ish zyrtarëve me duar në pranga duke u dërguar në prokurori dhe paraqitja e lirshme në polici dhe prokurori e personave tjerë, të dyshuar për tragjedinë, i kontribuon thellimit të hendekut ndëretnik, i cili në këtë periudhë është absolutisht i panevojshëm. Sigurisht që askush nuk është kundër gjykimit të drejtë dhe mbi parimin e ligjit të të gjithë atyre që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejt personale që të ndodh kjo tragjedi. Parimi i ndëshkueshmërisë duhet përfundimisht të fillojë të zbatohet që shteti të fillojë të funksionojë mbi parametrat e normalitetit. Natyrisht se nuk duhet të amnistohet askush vetëm se i takon opozitës. Por, kjo duhet të vlejë edhe për ata që i takojnë pushtetit.
Deklaratat e tipit se “Do t’i nxjerrim për veshi nga shtëpia”, duke aluduar tek zyrtarët e BDI-së jepen nën presionin e ndodhive, por kryeministri nuk duhet ta merr rolin e prokurorit, hetuesit ose gjykatësit. Ndryshe meselenë e kadiut do e themi për kryeministrin: Ai të akuzon, ai të dënon!
Ne ende jemi republikë parlamentare, në të cilin “balancimi” i pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor është i garantuar me Kushtetutë. Aq më tepër që të gjithë duhet të ruajnë gjakftohtësinë, sidomos ai që drejton shtetin.
Nëntë muaj nuk kanë qenë shumë, por edhe pak jo, që institucionet të ndërmarrin hapat e nevojshëm që drejtësia të fillojë të nxjerr frytet e para. Nevojitej futja në listë të zezë amerikane e ish zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe bashkëpunëtorit të tij Përparim Bajrami, që shteti të ndez motorët dhe të ngrejë aktpadi penale ndaj tij për shkelje të rënda ligjore, që ndërlidhen me biznesin e kazinove.
Të vonshme janë edhe deklaratat e kryeministrit se “Do të mbijetojmë ne-Maqedonia dhe qytetarët ose mafiozët. Nuk ka më vend për të dy palët”. Deri më tani nuk është bërë asnjë lëvizje në këtë drejtim. Edhe ish kryeministri Zaev fliste me të njëjtën gjuhë. Fjalët e mëdha, veprat e vockla!
Tani rreth fakteve. Pas ardhjes në pushtet, para se të ndodhte tragjedia Besa transi, Spitali modular i Tetovës dhe Durmo tursi as që janë përmendur.
Në vend të kërkimit të përgjegjësisë për këto tragjedi, pushteti ka shpenzuar energji të madhe për të siguruar favore financiare nga buxheti për oligarkinë maqedonase. Themi maqedonase, sepse shqiptarët duke mos qenë vendimmarrës në procesin e privatizimit, rrjedhimisht nuk kanë mundur të bëhen pjesë e oligarkisë. Kush janë oligarkët? Janë drejtorët e kompanive shtetërore gjatë komunizmit, të cilëve pas fillimit të pluralizmit shteti ua ka dhënë në duart e tyre fabrikat dhe kompanitë, gjoja me idenë se ata do të menaxhojnë në dobi të popullit. Çfarë absurditeti!
Janë po ata të njëjtit, që privatizuan kapitalin shoqëror dhe shtetëror me anë të aksioneve interne sipas Ligjit të ashtuquajtur të Ante Markoviqit. Këto aksione i blenë drejtorët e ndërmarrjeve dhe me pronat publike ndërtuan perandoritë e tyre ekonomike. Sot janë “bosët” e kapitalit apo pasurisë, medias por edhe diktues të veprimeve të politikës. Asnjë pushtet atyre nuk u ka bërë ballë!
Qeverisja u bë e mirë me qarqet apo klanet oligarkike. Gjykata Kushtetuese vendos tua kthejë 50 milion euro 156 kompanive për tatimin e solidaritetit, i cili ishte i njëhershëm dhe vlen për kompanitë e mëdha. Bëhet fjalë për tatimin sipas parimit logjik njerëzor “Kush fiton më shumë, paguan më shumë”! Qeveria e arsyetoi dhe e mbrojti këtë vendim, meqë kushtetuta na qenka mbi të gjitha.
250 milion euro që u morën nga kredia nga Hungaria u ndahen kompanive, ndërsa kamatat e kësaj kredie do të paguhen nga qytetarët, nga ne, me gjasë nga fëmijët tanë. Ky popull boll është i rrjepur, ndërsa rrjepja e tij nuk ka të ndalur.
Ky është sistemi i oligarkokracisë, e cila e zëvendëson demokracinë parlamentare dhe ekonominë e lirë të tregut. Temë që do një analizë të veçantë. Për më tepër javën e ardhshme! Ndiqni Lajmin!