Si ta kuptojmë Palestinën?

Shpërndaje

Shkruan: Ramadan RAMADANI

Edhe këtë analizë si shumë tjera dua ta nis nga vetja dhe nga perspektiva e një shqiptari të Maqedonisë; jo vetëm se nga këtu bëhen këto analiza që jo çdo herë do jenë vetëm të përkufizuara për shqiptarët e Maqedonisë dhe as për të potencuar veten ose mendimet tona, por për të qenë më të kuptueshëm dhe të qartë për atë që duam ta përçojmë si kuptim dhe shtjellim për proceset, fenomenet dhe problemet të cilat janë temë.

Ashtu mua vet, shumë njerëz me të cilët kam biseduar dhe besoj shumë njerëz në botë i mundon një paqartësi: si mundet në Palestinë të zhvillohet i gjithë ky gjenocid dhe tmerr, jo vetëm tani kur në Gaza tejkalohen krejt statistikat e vuajtjeve dhe shkatërrimit në historinë e njohur të njerëzimit, por edhe gjatë shtatëdhjet viteve të kaluara, e ndërkohë aty përreth Palestinës ka aq e aq miliona arabë, shtete, mbretëri dhe ushtri?! Ajo Liga Arabe ka antarë 22 shtete e prej tyre gati gjysma janë shtete fqinje me Palestinën dhe përkundër kësaj Palestinës i ndodh kjo, tani e 70 vite me rradhë?! Dmth flasim për njerëz arabë, me gjuhë arabe, me kulturë të njëjtë arabe me palestinezët dhe nga dy fetë e arabëve, pra myslimanë dhe të krishterë prej disa kishave të ndryshme. Një popullatë prej 450 milionë njerëz në shumë shtete, me diplomaci, partia, mbretëri, institucione fetare e kombëtare, me pare dhe ushtri të shumta; mbretër, gjenerala, kardinala, admiralë e miliarderë, turli kryetari e imami, e për Palestinën: krejt lesh hamami!

Njerëzve në botë kjo pyetje ju duket gati si një enigmë pa përgjigje; si mund të ndodhë kjo dhe ende më rëndë si mund të vazhdon? Si krejt këto nuk arrijnë të fusin as miell dhe ujë, së paku mos vdesin nga uria fëmijët e ngratë të Gaza-s, sikur që çdo ditë ndodhë sipas krejt raporteve relevante nga instiucionet ndërkombëtare të OKB-së?!

Vërtetë kjo është një pyetje e rëndë dhe nuk është se nuk ka përgjigje. Por krejt ato përgjigje janë të gjata e duhet trajtuar nga krejt aspektet dhe kapacitetet e krejt këtyre për tu sqaruar. Në këto përgjigje përfshihen gjëra që duhet me i trajtuar gjerë e gjatë sikur; mospasja konstituencë historike të disa prej këtyre shteteve, jolegjitimiteti i udhëheqjes shtetërore të disa prej tyre, varësia ekonomike dhe politike që cënon sovranitetin e disa shteteve arabe, problemet e brendshme dhe konflikti esencial për shtetin komb në vetëm një shtet, ndërsa ata janë arabët e njëjtë dhe kur legjitimohen politikisht vetëm si arabë atëherë do duhej të ishin një shtet. Vetëm sa për ta kuptuar më mirë këtë të fundit do sjellim një shembull shqiptar, ku në bazë të idealizmit shqiptar një shqiptar vetit nuk do mund të legjitimonte përpjekjen për shqiptari në një shtet tjetër të vetin kombëtar ose qytetar pa e bërë Shqipërinë. Dmth nëse dikush e dedikon veten dhe legjitimon krejt përpjekjen vetëm për shqiptari si mund të merr pjesë ose pranon legjitimitet, kufi, shtet tjetër përveç Shqipërinë?! Te arabët është edhe më zor kjo punë pasi nuk kanë vetëm një shtet kështu, por disa prej tyre do kishin mbet dhe ekzistuar nëse do kishte vërtetë një kështu legjitimim e konstituencë historike, gjeografike, politike dhe shoqërore; ideale, e bazuar vetëm në arapllëk, arabizëm ose pan-arabizëm.

Kjo është diçka shkurt nga një përgjigje gjerë e gjatë, por që sigurisht nuk e spjegon krejt atë se si është e mundshme të ndodhë i gjithë ky tmerr përkundër krejt atyre arabëve përreth. Njerëz anembanë botës aq shumë ndihen keq nga krejt ato që aktualisht ndodhin në Gaza e paramendoni se si ndihen dhe sa rëndë e përjetojnë ata njerëz në Jordani ose Egjipt që janë ku e ku më afër Gaza-s dhe të njëjtit gjak, gjuhë, kulturë dhe fe?! Shumë më rëndë sigurisht dhe janë gjëra që nuk spjegohen lehtë.

Por, për të kuptuar sa më shumë, ne nga këtu, mund të bëjmë krahasim me gjëra që i kemi përjetuar historikisht ose edhe i përjetojmë çdo ditë, si shqiptarë të Maqedonisë.

Ashtu neve shpesh na ndodhte të cilësoheshim si “maqedon”, maqedonc e të tjera prej potencimit gjeografik, shtetëror dhe politik, e neve na ka penguar kjo gjë dhe shpesh edhe ofenduar pasi na dukej se dikush e konteston shqiptarinë tonë. Njëjtë si i trajtojnë shumë palestinezë në shumë shtete arabe vetëm si palestinezë, pa ju dhënë as të drejta, as shtetësi, as punë e shpesh as edhe grua e burr për martesë sepse ata për ato janë vetëm palestinezë. Ndërkohë që ata palestinezë edhe aty janë arabë dhe pra në shtete që kanë në emërtimet e tyre prefiksin arab dhe ky palestinezi me plot legjitimitet pretendon dhe mund të thirret vetëm në arabllëk dhe arabi?!

Mandej me Palestinën edhe arabët neve na përgjan edhe konflikti për perceptimin e qendrës dhe skajeve. Ashtu shumë në Shqipëri dhe në Kosovë nuk mund ta kuptojnë se si shqiptarët e këtuhit me të drejtë e dinë veten se janë brumi, maja e Shkupi e Manastiri edhe qendra historike të shqiptarisë. Bile u duket e pabesueshme ekzistenca e një kësi perceptimi?! Ndërkohë që kjo qëndron plotësisht duke ditur krejt historinë shqiptare e edhe të përpjekjeve shqiptare për shtet dhe komb sidomos në periudhën moderne, kur janë bërë shtetet komb. Shkupi, Kumanova e deri edhe Struga dhe Kërcova me krejt qytetet ndërmjet kanë patur ngjarje, përpjekje dhe personalitete që kanë bërë Shqipërinë. Jo këtë të ngushtën si kifle, por atë idealen dhe historike, somun të plotë!

Por edhe më të kuptueshme janë krahasimet për përzierjet nga e kaluara e afërt dhe ato që vazhdojnë të ndodhin, sikur takimi i fundit që kishte Vjosa Osmani, presidentja e një shteti qytetar siç është ai i Kosovës me vetëm një lider, me vetëm të njërës parti nga një koalicion multietnik fronti evropian nga Maqedonia?! Ashiqare që ai takim u bë që tu bie në sy shqiptarëve, por marrë parasysh cilësitë e atyre që janë takuar si legjitimohet kjo në parametra shqiptarë? Çka ka lidhje këtu shqiptaria?! Nuk ka lidhje ama mundet shumë dëm ti bëj shqiptarisë. Për ta kuptuar këtë ta paramendojmë një takim të lideres boshnjake të Kosovës Duda Balje me përfaqësues shqiptarë nga Maqedonia; në të cilën do trajtoheshin dhe këmbeheshin eksperienca për decentralizimin dhe themelimin e komunave; temë që shqiptarët e Maqedonisë e dinë dhe e kanë bërë më herët. Ai takim njashtu nuk do kishte lidhje me shqiptarinë ama shumë dëm do mund të i bënte!

Ose ajo përçarja e famshme historike që i është bërë përfaqësimit politik atëherë shumë të fortë shqiptar në Maqedoni e njohur si Telegrami i ATSH në vitet e nëntëdhjeta në kohën e Sali Berishës?! Nëse krejt matjet dhe rezultatet politike dhe historike të asaj përzierje dolën se ishin kundër shqiptarëve a e bën kjo atë përzierje antikombëtare dhe antishqiptare?

Ose përflitja se në shkëputjen e ASH-së së Taravarit nga VLEN ka gisht Shqipëria, Edi Rama ose ambasadori i parë shqiptar në Maqedoni; Denion Mejdani?! Ky tani emërtohet si ambasadori i parë shqiptar, jo vetëm se në opinion e kanë trajtuar si të parin ambasador që punon dhe është tamam, por edhe pasi përflitej se ai Çejku që kishte anime politike publike si aktivist i BDI-së ka qenë me prejardhje etnike të pasqaruar mirë. Mu si Iraku, Siria dhe Arabia Saudite që kanë patur ambasadorë të vet nëpër shtete të ndryshme arabe, ermenë dhe joarabë tjerë?!

Arabët më së miri pra mund ti kuptojmë ne nga këtu, edhe pse neve këto na kanë ndodhë në shembuj dhe me pasoja më të vogla; por prap mbetet se e shitmja, tradhtia, hajnia dhe çregullimet tjera janë të kategorisë kualitative e jo kuantitave. Pra dihen dhe maten me cilësi jo me sasi. Nuk mund të themi se pak na kanë shit, pak na kanë tradhtu dhe vetëm pak anashkalu kombëtarisht. Ka lloje dhe mënyra të shumta të tradhtisë, rrenës dhe hajnisë, por nuk ka sasi. Nuk ka ama pak, nuk ka ama ndodhi vetëm një herë! Edhe me një herë mbetet përherë!

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme