Shkruan: Ramadan RAMADANI
Mbase shikuesit dhe lexuesit e LajmAnaliza e mbajnë mend se para dy jave kishim një tentim për spjegim të hamendjeve në VLEN, ku në një rresht mbase edhe e tepruam me parashikim optimist se nuk ka gjë prej ikjes së ASH-së të kryesuar nga Arben Taravari duke thënë se edhe pse zhurma do vazhdojë ajo do jetë sajesë e disa kallakashtave dhe ndjellësve e asgjë më tepër. Pozita e analistit nuk është pozitë e parashikuesit dhe unë vet nuk kam bërë një kësi gjë, por ajo që kam gabuar është se jam ngutur me një konstatim për një proces i cili vazhdonte dhe pasi do kryhej do më tangonte edhe mua, sikur shumicën e ndjekësve nga këtu, pasi krejt jemi edhe votues. Sigurisht që nga zemra dhe me nijet të mirë, por edhe pse kaq hollë prap ky anim është gabim dhe më duhet këtu ta bëj këtë arsyetim publik.
Tani me leje shkojmë tutje për të spjeguar se çka në fakt ndodhi dhe pse nuk u ndal procesi i shkuarjes dhe largimit të një partie nga Koalicioni VLEN dhe tani siç po duket edhe prej ekzekutivi dhe qeverie. Ka disa spjegime se për çka, pse dhe si ndodhi ky largim dhe ndarje. Disa prej tyre u përmendën në analizat e mëparshme, disa më u trajtuan në opinion kurse disa spekulime as që meritojnë të përmenden pasi nuk ka argumente për të njëjtat. Spjegimi im se pse edhe pas periudhës së hamendjes, negociatave, mbledhjeve dhe takimeve nuk u ndal ky largim është se ka ndodh një Tillt. Kjo është një fjalë në anglisht që emërton anim, por u përdorë në shumë gjuhë të botës si term në lojërat e moçme të fëmijërisë tonë: flipera. Tillt aty është një bllokim i krejt opsioneve për tutje dhe pamundësim i vazhdimit të lojës në flipera me të njëjtin top. Luani në një makinë flipera me pinball, po luani një lojë të shkëlqyer, po ngazëlleheni dhe papritmas: TILLT! Çfa rë dhe si ndodh? Makina në një fare mënyrë zbulon se po e tundnin shumë fort, po e anojnë me hile dhe shtyrje dhe vendos të ndëshkon për këtë. Kjo sepse ato makinat pinball janë makina me monedha dhe kanë mbrojtje të integruar për të ndaluar mashtrimin. Nëse loja trajtohet shumë fort, shkelmohet, ngrihet, ajo do të bllokohet me tillt në mënyrë që lojtari të mos mund të vazhdoj të luaj. Kjo zakonisht do ta përfundojë topin në lojë.
Është një tregues për lojtarin se ai po e trajton makinën shumë ashpër ose po përpiqet të mbajë një pinball në fushën e lojës që duhet të ishte zbrazur. Tillti ndodh për të parandaluar që një lojtar të marrë me hile rezultate shumë të larta. Nëse doni rezultat më të lartë se njerëzit tjerë, loja duhet të bëhej në rrethana të krahasueshme dhe jo duke parandaluar që topi të ec e vijon, në mënyra të paligjshme. Ajo çka ndodh kur bëhet TILLT është se krahët ose fletët dhe pjesa tjetër e fushës së lojës do të fiken, topi në lojë do të humbasë dhe do të humbet çdo bonus që është krijuar nga ai top për t’u shtuar në fund rezultatit. Makinat e vjetra të fliperave tilltonin menjëherë në mbylljen e parë. Në makinat më të reja mandej kishte një ose dy paralajmërime për tillt, përpara se loja ta bllokojë topin tuaj.
Ky term mandej u përdor edhe në videolojëra, në poker dhe tjera, por me tillt shprehej edhe çdo bllokim i opsioneve në çdo aktivitet ose hobi dhe me këtë term përshkruhet edhe gjendja emocionale kur të bërit e të njëjtit aktivitet vazhdimisht prodhon rezultate negative. Bile edhe në politikë. E edhe në psikologji është një prishje emocionale dhe zhgënjim nga puna juaj e palodhur që nuk rezulton në suksesin që dëshironi kaq shumë. Kur dikush është në një gjendje mendore tillt, gjëja më e mirë që mund të bën është të bën një pushim nga ai aktivitet dhe të përpiqet të mos mendon aq shumë për të.
Njeriu është doktori më i mirë i vetes e doktorët më të mirë janë ata që dinë të shërojnë veten dhe kuptojnë se kur duhet ndaluar, pushuar dhe lënë rradhën tjetrit ose tjerëve. Pra në medicinë, psikologji dhe politikë mund të mos jetë shumë e qartë, por në lojëra flipera ishte shumë e qartë dhe me rregull e rend puna kur ndodhte tillti. Lojtari pas vazhdonte lojën me topin e rradhës. Sidomos kur loja luhej në çift ose edhe më shumë. Zhbllokohej makina prej tilltit dhe tjetri në rradhë vazhdonte me topin, lojën dhe rezultatet. Nuk lejohej që të humbet krejt rezultati dhe loja vetëm sepse insistonte që të vazhdon mu ai të cilit i ka ndodhë tillti.
Kështu disi duhet të ndodhë edhe këtu dhe tani në ASH, VLEN dhe qeveri që të mos humbet krejt rezultati i përbashkët. Lojën dhe topin e rradhës mund ta vazhdon dikush tjetër e të mos humbet rezultati nga bashkimi dhe e arritura e përbashkët më herët. Nëse do kishim bë prap një parashikim optimist do thonim se kështu edhe do ndodhë, por si thamë në fillim nuk është punë e analistit parashikimi e bile në rastet kur je optimist për shqiptarët ose Maqedoninë, edhe veç e veç dhe sidomos për dyja bashkë, optimizmi del pamjaftueshëm i saktë. Pra mund puna të shkojë edhe më larg e më keq se e ke paramenduar, me krejt atë hov e optimizëm. Ndryshe nuk spjegohet krejt kjo dalldisje që me tillt me vazhdu me bë politikë e me e dëmtuar krejt përfaqësimin politik shqiptar në vend.