Vlerësimet dhe dyshimet mbi marrëveshjen me Britaninë e Madhe

Shpërndaje

Shkruan: Florian NESIMI

Maqedonia e Veriut nënshkroi marrëveshje për partneritet strategjik me Britaninë e Madhe dhe në kuadër të saj parashihet edhe marrja e kredisë në vlerë prej 6 miliardë euro. Partitë në pushtet, VMRO dhe VLEN-i për këtë marrëveshje deklaruan se është një marrëveshje historike, LSDM-ja e quan si vjedhja e shekullit teksa opozita shqiptare akoma nuk ka deklaruar asgjë. E nëse për kredinë hungareze kishim dyshime nga vetë shkaku se Hungaria bën pjesë në shtetet që cilësohen si regjime autokratike, në rastin e  Britanisë së Madhe bëhet fjalë për një superfuqi botërore e cila llogaritet si djepi i demokracisë.

Marrëveshja parasheh realizimin e projekteve infrastrukturore ku pesë vitet e para do të tërhiqen 2.2 miliardë euro për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë deri në Gjevgjeli, renovimin e tërësishëm të Spitalit Klinik të Tetovës, të spitalit të Kërçovës dhe të atij të Shtipit. Me projektet të cilat parashihen të realizohen pritet të kemi një zhvillim të hovshëm infrastrukturor dhe ekonomik, e plus kësaj, të kesh partneritet strategjik me Britaninë e Madhe domethënë siguri politike në arenën ndërkombëtare në sferën e investimeve të huaja, ku investitorët e mëdhenj botërorë kërkojnë një shkallë të lartë të sigurisë politike.

Por për këtë marrëveshje ekzistojnë edhe disa dyshime dhe shkurtimisht mund të shfaqim dy prej tyre: e para, ekziston një shqetësim se kjo marrëveshje prapa skene mund të nënkuptojë hapjen e qendrave për pranimin e migrantëve në vendin tonë; dhe e dyta, marrëveshja për partneritet strategjik me Britaninë e Madhe mund të shihet si një alternativë e anëtarësimit në Unionin Evropian.

Sa i përket hapjes së qendrave për migrantët të cilët Britania e Madhe do t’i sillte në vendin tonë, këto qendra do të funksiononin sipas modelit të marrëveshjes së Shqipërisë me Italinë. Është e vërtetë se Shqipëria në këmbim nga Italia fitoi një aleat të fortë në sferën ndërkombëtare dhe një përkrahës të madh në procesin e negociatave me BE-në, por shqetësimet janë se këto kampe të migrantëve paraqesin shkelje të të drejtave themelore të njeriut, dhe organizatat evropiane theksojnë se ato qendra të migrantëve ngjasojnë si dhoma të paraburgimit ku shkelen të drejtat e njeriut. Plus kësaj, ato migrantë të cilëve do t’iu refuzohej kërkesa për azil në Britaninë e Madhe, duhet të kalojnë në procesin e riatdhesimit dhe të kthehen në vendet e tyre, dhe në këtë moment nuk mund të parashihet se cili do të ishte destinacioni i tyre i radhës. Nëse do të hapen apo jo qendra të migrantëve do të vendosin interesat ekonomike dhe politike të të dyja vendeve, por ne si shtet duhet të kujdesemi që të mos e humbasim humanizmin ndaj migrantëve dhe nga ana tjetër të mos shndërrohemi në vendin ku mbahen në paraburgim migrantët.

Sa i përket dyshimit të dytë se marrëveshja për partneritet strategjik me Britaninë mund të jetë alternativë për anëtarësimin në Unionin Evropian, shqetësimi është se kjo marrëveshje u nënshkrua në një moment shumë delikat kur në shtetin tonë mbisundon një dëshpërim për mos-hapjen e negociatave me Unionin Evropian. Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë alternativë tjetër përpos anëtarësimit në BE dhe marrëveshjet me shtete tjera jashtë Unionit Evropian duhet të jenë vetëm të karakterit ekonomik. Shteti ynë ka plot të drejtë që përveç fondeve evropiane të kërkojë fonde dhe investime edhe nga shtete tjera, por ato nuk duhet të shihen nga prizma e kompensimit të mos-anëtarësimit në BE dhe nuk duhet të konsiderohen si alternativë e Unionit Evropian.

Për në fund, mund të themi se përshtypjet e para nga nënshkrimi i marrëveshjes me Britaninë e Madhe janë pozitive dhe nëse kredia prej 6 miliardë eurosh shfrytëzohet me mençuri dhe ndershmëri, atëherë do të jetë një mjet për zhvillim të madh ekonomik, por nëse shfrytëzohet vetëm për politikë ndërsa ato para vidhen, atëherë kjo marrëveshje vetëm se do ta rrisë borxhin publik të shtetit dhe do të jetë një barrë e rëndë që do të vendoset mbi kurrizin e brezave të ardhshëm.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme